Alesia Balliu i bën “puçin” Berishës, i dërgon letër Ambasadave
“Po shkatërron opozitën”
Alesia Balliu, e përjashtuar nga gara për kryetare të Partisë Demokratike, ka ndërmarrë një hap të pazakontë duke informuar përfaqësuesit diplomatikë të akredituar në Tiranë mbi zhvillimet e fundit brenda kësaj force politike.
Në komunikimin e saj, Balliu shpreh shqetësim të thellë për mënyrën se si po drejtohet aktualisht Partia Demokratike, duke akuzuar Sali Berishën për cenim të standardeve demokratike dhe për kontroll të plotë mbi strukturat e partisë. Sipas saj, procesi për zgjedhjen e kreut të PD-së është zhvilluar pa garë reale, pasi janë përjashtuar kandidatë që kërkonin një përballje të hapur dhe transparente.
Paralelisht me këtë nismë, Balliu ka ndjekur edhe rrugën ligjore, duke depozituar një padi në strukturat përkatëse të partisë, ku kundërshton vendimin për përjashtimin e saj nga gara. Megjithatë, ajo bën me dije se prej dy javësh nuk ka marrë asnjë reagim lidhur me këtë kërkesë.
Në deklaratat publike, Balliu përdor tone të ashpra ndaj Berishës, duke e cilësuar atë si një figurë që, sipas saj, nuk përfaqëson më unitetin e demokratëve dhe që po mban peng zhvillimin normal të partisë. Ajo thekson se një proces i hapur zgjedhor do të prodhonte rezultate ndryshe dhe se ekziston një pakënaqësi e gjerë brenda bazës së PD-së.
Sipas Balliut, Partia Demokratike ka nevojë për reformim të thellë për t’u kthyer në një alternativë të besueshme opozitare. Ajo shton se refuzimi për të zhvilluar një garë të ndershme tregon frikë nga përballja me anëtarësinë.
Në një intervistë televizive, Balliu deklaroi se ka informuar ambasadat kryesore perëndimore në vend, duke e konsideruar situatën brenda PD-së si shqetësuese jo vetëm për partinë, por edhe për standardet demokratike dhe raportet me partnerët ndërkombëtarë.
Përmbajtja e plotë e emailit:
I nderuar Ambasador,
Po ju shkruaj për të shprehur shqetësimin tim të thellë lidhur me situatën alarmante brenda Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe procesin jodemokratik që po zhvillohet aktualisht në lidhje me drejtimin e saj.
Z. Sali Berisha po shkon drejt zgjedhjeve në parti si kandidati i vetëm, pasi ka përjashtuar jo vetëm mua, por edhe kandidatë të tjerë që kërkonin një proces të hapur, demokratik dhe konkurrues. Kjo përbën një shkelje të qartë të parimeve themelore të pluralizmit dhe demokracisë së brendshme.
Sot, Partia Demokratike është marrë praktikisht peng nga Sali Berisha dhe klani i tij politik. Në vend që të ndërtojë një alternativë të vërtetë opozitare për qytetarët shqiptarë, partia po përdoret gjithnjë e më shumë si një mburojë personale për betejat e tij ligjore dhe politike me institucionet e drejtësisë.
Është thellësisht shqetësuese që një person i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar për korrupsion dhe minimin e demokracisë, po e drejton Partinë Demokratike drejt një përballjeje të vazhdueshme me partnerët strategjikë të Shqipërisë. Nën drejtimin e tij, Partia Demokratike është kthyer gjithnjë e më shumë kundër SPAK-ut dhe institucioneve të drejtësisë në Shqipëri, duke përdorur shpesh retorikë armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian.
Kjo situatë po dëmton jo vetëm vetë Partinë Demokratike, por edhe opozitën shqiptare, standardet demokratike dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.
E konsiderova të rëndësishme t’ju informoj mbi këto zhvillime dhe rreziqet që paraqiten kur një parti politike kapet nga interesat personale të një individi, në vend që të udhëhiqet nga vlerat demokratike dhe parimet institucionale.
Me respekt,
Alesia Balliu
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



