Altin Dumani flet për Metën dhe Veliajn: Unë nuk dorëzohem
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, u përball sot në Kuvend me një seri pyetjesh nga deputetët, në një seancë që zgjoi interes të madh për shkak të zhvillimeve të fundit që përfshijnë arrestimin e Ilir Metës, hetimet për inceneratorët dhe dosjet e ndjeshme që prekin zyrtarë të lartë.
Në përgjigje të pyetjes së deputetit të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, se përse në rastin e arrestimit të presidentit të PL-së, Ilir Meta, u shmang Byroja Kombëtare e Hetimit dhe u la dorë e lirë Policisë së Shtetit, Dumani ishte i prerë:
“Policia e Shtetit është përgjegjëse për ekzekutimin e masave të sigurimit. Është një praktikë e përcaktuar qartë dhe e ndjekur rregullisht”, tha ai.
Sa i përket kalimit të dosjes së arrestimit të Metës nga SPAK tek Prokuroria e Tiranës, kreu i SPAK sqaroi se ky veprim është brenda kompetencave ligjore.
“Dosja është kompetencë e Prokurorisë së Përgjithshme. Ligji është taksativ, nuk mund ta hetojmë ne atë vepër penale, as subjektet e përfshira nuk janë në juridiksionin e SPAK,” theksoi Dumani.
Në një seancë të mbushur me pyetje e replika, Dumani iu përgjigj edhe interesimit të deputetes demokrate Jorida Tabaku për çështjen e inceneratorëve dhe mungesën e një mase ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
“Hetimet paraprake nuk kanë përfunduar për inceneratorin e Tiranës,” deklaroi ai, duke lënë të hapur mundësinë që hetimet të përfshijnë edhe Veliajn. “SPAK ka hetuar deri tani 71 persona në lidhje me aferën e tre inceneratorëve. Hetimet vazhdojnë edhe për fakte e persona të tjerë që mund të jenë përgjegjës për këtë veprimtari kriminale,” shtoi ai.
Në lidhje me ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, Dumani tha se ai është një person në kërkim ndërkombëtar për disa vepra penale, por nuk përjashtoi mundësinë që Ahmetaj të bëhet bashkëpunëtor me drejtësinë.
“Nëse ai dëshiron të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë, është mëse i mirëpritur. Deklarimet e tij publike vlerësohen rast pas rasti,” tha kreu i SPAK, duke shtuar me vendosmëri: “Unë nuk dorëzohem. Iu bëj ballë çdo sfide.”
Fjalët e fundit të Dumanit, ndoshta më të fortat e seancës, lanë të kuptohej se kreu i SPAK është i ndërgjegjshëm për presionin politik që e rrethon, por i vendosur të mos tërhiqet.
Në një Kuvend ku përplasjet politike shpesh zënë vendin e llogaridhënies, zëri i tij i matur, por i prerë, shënjoi një vijë të qartë ndarjeje mes drejtësisë dhe pushtetit politik, një vijë që, sipas Dumanit, “nuk mund të fshihet më”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



