Amerika Latine-Tiranë, rrjeti i prostitucionit që gjeneroi miliona para
Një operacion ndërkombëtar i drejtuar nga Europol ka goditur një grup të strukturuar kriminal që trafikonte vajza nga Ekuadori dhe Kolumbia drejt Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit.
Gjatë këtij operacioni janë arrestuar disa persona dhe është zbuluar skema se si funksiononte rrjeti i prostitucionit, ku përdoreshin vajza me origjinë latine.
Sipas Report TV, që i referohet burimeve të saj, gjatë kontrolleve në banesën e Lucas Betancur dhe babait të tij në Kolumbi, të konsideruar si drejtuesit kryesorë të këtij rrjeti, janë sekuestruar kode Bitcoin, si dhe një numër i madh faturash që dokumentonin transfertat e parave, të dyshuara si të ardhura nga prostitucioni.
Përllogaritet se nga muaji janar deri në momentin e goditjes së rrjetit, janë transferuar mbi 1 milion euro, kryesisht nga Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit drejt Kolumbisë. Gjithashtu, janë identifikuar disa banesa dhe hotele në Tiranë që përdoreshin si baza për aktivitetin e prostitucionit me vajzat kolumbiane.
Sipas Report TV, një nga të arrestuarit, Mirel Shperdheja, pronar i një agjencie të pasurive të paluajtshme, kishte vënë në dispozicion për qëllime prostitucioni 15 apartamente të dhëna me Airbnb.
Ndërkohë, Ilmar Gugashi, një tjetër i arrestuar, rezulton pronar i një hoteli pranë Gjykatës së Lartë, që gjithashtu përdorej për aktivitetin kriminal.
Personi tjetër i ndaluar, Dritan Suka, sipas hetimeve, kishte komunikim të drejtpërdrejtë me Lucasin në Kolumbi dhe vënte në dispozicion banesa me qira për vajzat e trafikuara.
Në një njoftim zyrtar të Policisë së Shtetit, thuhet se organizator i rekrutimit të vajzave nga Amerika Latine ishte 25-vjeçari L.B., tashmë i arrestuar në Kolumbi, i cili merrej gjithashtu me organizimin e udhëtimit dhe strehimit të tyre në Shqipëri. Hetimet kanë zbuluar se në rastet kur ndonjë nga vajzat refuzonte të vijonte me prostitucionin, ato kërcënoheshin me forcë fizike apo me pasoja për familjarët e tyre në Kolumbi.
Pjesëtarë të tjerë të grupit kujdeseshin për logjistikën dhe menaxhimin e rrjetit, duke përdorur edhe platforma online të njohura si “eskort”.
Një nga të arrestuarit kishte përshtatur një hotel në rrugën “Reshit Çollaku” në Tiranë, si vend për ushtrimin e prostitucionit. Në këtë ambient u shfrytëzuan për prostitucion disa shtetase me origjinë nga Kazakistani, të cilat edhe strehoheshin aty. Një tjetër i hetuar merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike për disa prej vajzave, si dhe lehtësonte kontaktet e tyre me klientët.
Po sipas njoftimit zyrtar, një nga personat e arrestuar kishte për detyrë mbledhjen e të ardhurave të siguruara nga aktiviteti kriminal dhe transferimin e tyre në Kolumbi, përmes kriptovalutave, në llogaritë e 25-vjeçarit L.B.
Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese dhe të drejtësisë të Kolumbisë, Kroacisë, si dhe me mbështetjen e Europol dhe Eurojust. Në përfundim të hetimeve, janë lëshuar 19 masa sigurie, prej të cilave 9 janë ekzekutuar në Shqipëri dhe 10 në Kolumbi. Ndërkohë, tre persona janë shpallur në kërkim dhe 48 shtetase të huaja të kombësive të ndryshme janë proceduar penalisht.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



