AMP dhe DVP Gjirokastër finalizojnë operacionin “Akciza 3”
Goditet kontrabanda, 2 të arrestuar dhe mbi 22 mijë euro të sekuestruara
Dy 43-vjeçarë u kapën në kuadër të operacionit “Akciza 3”. Në autobus u gjetën cigare, produkte ushqimore, medikamente e veshje, ndërsa hetimet vijojnë për persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë.
Dy persona janë arrestuar nga Policia në kuadër të operacionit të koduar “Akciza 3”, pas zbulimit të një sasie të konsiderueshme mallrash të dyshuara të kontrabanduara nga Greqia drejt Shqipërisë.
Të arrestuarit janë O. L. dhe M. D., të dy 43 vjeç dhe banues në Tiranë. Ata u ndaluan në flagrancë në aksin rrugor Kakavijë-Gjirokastër, teksa transportonin mallra me një autobus që drejtohej me ndërrim turnesh prej tyre.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, pas informacioneve të siguruara nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, Rajoni Vlorë-Gjirokastër.
Gjatë kontrollit të autobusit, në hapësira të mbyllura dhe të fshehura, u zbuluan 100 steka me cigare dhe 22 695 euro. Ndërkohë, në bagazhin e mjetit u gjetën mallra të ndryshme, për të cilat dyshohet se ishin futur kontrabandë nga Greqia.
Sipas Policisë, mes produkteve të sekuestruara kishte kuti me produkte deti dhe mishi, produkte bulmeti, medikamente, si dhe 13 thasë me veshje të markave të ndryshme.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mallrat, shuma prej 22 695 eurosh, autobusi dhe një aparat celular. Hetuesit dyshojnë se transporti mund të jetë pjesë e një aktiviteti më të gjerë të kontrabandës.
Dy 43-vjeçarët akuzohen për disa vepra penale, përfshirë kontrabandën me mallra të ndaluara ose të kufizuara, kontrabandën me mallra që i nënshtrohen akcizës apo detyrimeve doganore, tregtimin dhe transportimin e mallrave kontrabandë, si dhe mosdeklarimin e të hollave në kufi.
Ndaj tyre rëndojnë gjithashtu dyshimet për fshehje të të ardhurave dhe pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
Policia po vijon hetimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



