Zbulohet se kush është efektivi i pezulluar që plagosi me plumb gome Kliti Hotin
🇬🇧 Read in EnglishËshtë zbuluar identiteti i efektivit të Policisë së Shtetit që qëlloi me plumb gome deputetin e Partisë Demokratike, Kliti Hoti, gjatë protestës së 29 nëntorit në Tiranë.
Bëhet fjalë për punonjësin e policisë Ersild Alliu, i cili raportohet se është personi që goditi nga afër deputetin demokrat gjatë përplasjes në bulevard.
Pas incidentit, ministri i Brendshëm Ervin Demo kërkoi pezullimin e menjëhershëm të efektivit dhe nisjen e një hetimi për veprimet e tij.
Policia e Shtetit konfirmoi më pas se Alliu ishte pezulluar nga detyra. Në njoftimin zyrtar u bë e ditur gjithashtu se ndaj tij ka nisur hetim disiplinor, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, po heton rrethanat e ngjarjes.
Një prej elementeve që Policia ka theksuar në reagimin e saj është se efektivi nuk kishte marrë urdhër për të përdorur plumba gome.
Ndërkohë, deputeti Kliti Hoti u transportua në Spitalin e Traumës, ku mori ndihmë mjekësore pas plagosjes.
Hetimet pritet të përcaktojnë rrethanat e përdorimit të armës dhe përgjegjësinë e efektivit në këtë incident që ka shkaktuar reagime të forta politike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



