Andis Salla tender për trajnim me mish e verë për 50 fermere femra
Në një kohë kur fermerët përballen me vështirësi të vazhdueshme dhe skemat e mbështetjes për bujqësinë kanë qenë objekt debatesh e kritikash, një procedurë e re prokurimi ngre pikëpyetje për mënyrën se si po shpenzohen paratë publike.
Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Lushnje ka hapur një procedurë me objekt “Trajnime të grave fermere”, me aktivitetet që parashikohen të zhvillohen në zonat e Beratit dhe Gjirokastrës. Sipas të dhënave të publikuara në sistemin e prokurimeve, procedura është hapur më 1 tetor 2026 dhe afati për dorëzimin e ofertave është 5 tetor.
Por ajo që bie në sy nuk është vetëm vetë organizimi i trajnimit, por edhe kërkesat e hollësishme për shërbimin e ushqimit gjatë aktiviteteve.
50 fermere dhe një menu që shkon përtej një kafeje gjatë trajnimit
Sipas specifikimeve të tenderit të paraqitura në dokumentacionin që disponohet, aktiviteti parashikon pjesëmarrjen e 50 fermereve dhe përfshin një sërë shërbimesh, nga ambientet e përshtatshme për zhvillimin e trajnimit deri te transporti dhe shërbimi ushqimor.
Në dokument përcaktohen edhe elemente të tjera të pritjes, përfshirë kafe, ujë dhe mini-ëmbëlsira në intervale të ndryshme.
Por pjesa më e detajuar është ajo që lidhet me drekën.
Për aktivitetin në zonën e Roshnikut, në Berat, menuja e parashikuar për 50 persona përfshin një kombinim të disa pjatave: antipasta të ndryshme, sallatë miks, sallatë Cezar dhe brusketa.
Më pas parashikohet mish keci, 500 gramë për person, i shoqëruar me garniturë. Menuja vijon me byrek në saç dhe patate furre, ndërsa në fund parashikohen ëmbëlsirë dhe fruta.
Edhe pijet janë pjesë e paketës, me ujë, pije freskuese dhe verë ose birrë.
Edhe Gjirokastra me 500 gramë mish për person
E njëjta logjikë shfaqet edhe për aktivitetin e parashikuar në Gjirokastër.
Për 50 pjesëmarrëse kërkohet sërish një drekë me disa pjata. Në hyrje të menusë janë parashikuar antipasta të ndryshme, ndërsa pjata kryesore përfshin 500 gramë mish qengji ose keci për person, së bashku me garniturën.
Në vijim, sipas specifikimeve, parashikohen qifqi me oriz dhe patate furre, përpara se menuja të mbyllet me ëmbëlsirë, fruta dhe pije.
Dokumenti përcakton se aktiviteti do të zhvillohet në dy ditë, një ditë në zonën e Beratit dhe një ditë në zonën e Gjirokastrës.
Bujqësia në sallë trajnimi, por edhe në tavolinën e restorantit
Në faqen zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, QTTB Lushnje përshkruhet si një strukturë që ka ndër detyrat e saj trajnimin e fermerëve, ofrimin e ekspertizës teknike dhe transferimin e teknologjive të reja në praktikën bujqësore.
Kjo e bën të ligjshëm në parim organizimin e aktiviteteve trajnuese për fermerët. Pikëpyetja që ngre dokumentacioni i këtij tenderi lidhet me mënyrën se si është konceptuar paketa e shërbimit dhe peshën që zënë shërbimet e kateringut brenda një aktiviteti që në objekt përcaktohet si trajnim.
Procedura është ende në fazën e prokurimit dhe, në momentin e publikimit të këtij informacioni, nuk kishte një fitues të shpallur.
Në këtë mënyrë, dokumentet e tenderit vendosin përballë njëra-tjetrës dy elemente: trajnimin e grave fermere si qëllim zyrtar dhe një paketë të detajuar ushqimore, ku përfshihen 500 gramë mish për person dhe pije alkoolike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



