Erion Braçe bën “për dy lek” ministrin për tokat bujqësore
“Nuk kemi tokë pa fund, duhet për bujqësi, jo për industri”
Në Kuvendin e Shqipërisë, projektligji për ndryshimet në ligjin “Për mbrojtjen e tokës bujqësore” u shoqërua me diskutime të forta dhe replika mes përfaqësuesve të mazhorancës. Në qendër të debatit ishte përdorimi i tokave bujqësore për ndërtimin e parqeve fotovoltaike dhe eolike.
Deputeti socialist Erion Braçe ngriti shqetësimin se mungesa e përcaktimeve të qarta ligjore për kufijtë e këtyre projekteve mund të sjellë pasoja serioze për sipërfaqet bujqësore në vend. Sipas tij, lënia e këtyre kufijve në dorë të vendimeve të Këshillit të Ministrave krijon hapësirë për abuzim dhe rrezikon të shtrijë këto investime në një pjesë të konsiderueshme të tokës së destinuar për bujqësi.
Nga ana tjetër, ministri i Bujqësisë, Andis Salla, argumentoi se ndryshimet e propozuara nuk cenojnë funksionin bazë të tokës bujqësore, por synojnë ta përshtatin atë me kërkesat e kohës dhe zhvillimin teknologjik. Ai theksoi se qëllimi i projektligjit është rritja e produktivitetit përmes përdorimit të teknologjive moderne, duke ruajtur njëkohësisht rolin kryesor të tokës në prodhimin bujqësor.
Erion Braçe: Mbase nuk është Ministri i Bujqësisë personi i duhur për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të ishte ai i Energjitikës, por pyetja është sa licenca janë dhënë për parqe eolike në toka bujqësore deri më tani? E dyta, po për parqe agro-fotovoltaike në toka bujqësore deri më tani? Sa leje janë dhënë për parqe të tilla në toka me bonitet 9 deri në 10 deri më tani?
Andis Salla: Projektligji është një ndërhyrje e kufizuar në ligj për mbrojtjen e tokës bujqësore, por e nevojshme për ta përshtatur me zhvillimin e bujqësisë moderne. Toka nuk është thjesht një sipërfaqe për ta përshtatur për prodhim bujqësor, por një pasuri kombëtare të lidhur me zhvillimin ekonomik dhe të ardhmen e brezave. Ky parim nuk ndryshon dhe nuk cënon mbrojtjen e tokës bujqësore. Plotëson kuadrin bujqësor për të vënë në përdorim disa teknologji, që ndihmojnë për përdorimin më të mirë të ujit dhe disa lëndëve ushqyese dhe burimesh natyrore, duke rritur produktivitetin. Realiteti ka ndryshuar sa i përket tokës bujqësore. Nuk mjafton vetëm kultivimi i sa më shumë sipërfaqesh, por të kemi sa më shumë produktivitet. Nuk cënohet në asnjë moment funksioni i tokës bujqësore, që mbetet prodhimi. Filozofia e këtij ligji është që teknologjia të vendoset në funksion të tokës, fermerit dhe prodhimit. Ndaj edhe përcakton që disa kritere të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, duke zbatuar rregullat strikte.
Braçe vijoi me kritikat, duke theksuar se drafti aktual nuk garanton mbrojtjen e nevojshme për tokën bujqësore dhe lë hapësira të paqarta në përcaktimin e kufijve për zhvillimin e projekteve energjetike.
Erion Braçe: Ky projektligj është i rëndësishëm. Mua më shqetëson ligji i ri që e kemi para. Nuk ka sanksionuar qartësisht kufijtë e vendosur në ligjin ekzistues, por lë të hapur që Këshilli i Ministrave vendos kufijtë e tokës bujqësore për kryerjen e aktivitetit fotovoltaik dhe eolik. Kërkoj që në nenin 2, në pikën 6 të jenë të qarta dhe të përcaktuara kufijtë që ka vendosur vetë ligji për secilin park. Duhet një definicion më i qartë në ligj për këto kufij. Përndryshe, këto parqe fotovoltaike do të shtrihen më pas në të gjithë tokat bujqësore në të gjithë vendin dhe kjo nuk është një gjë e mirë. Këto definicione që janë vënë në ligj nuk mbrojnë tokën bujqësore. Koncepti mbi tokën bujqësore ka ndryshuar totalisht. Toka duhet për bujqësi, jo për industri. Ne nuk kemi pafund tokë bujqësore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



