E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ankandi korruptiv për truallin e rafinerisë së Cërrikut shkon në Gjykatën e Lartë
Ekonomi

Ankandi korruptiv për truallin e rafinerisë së Cërrikut shkon në Gjykatën e Lartë

Petrol Alba padit KPP-në

Një nga procedurat më të përfolura të shitjes së pasurisë shtetërore në vend, ajo për Ish-Rafinerinë e Cërrikut, është zhvendosur zyrtarisht në dyert e Gjykatës së Lartë të Shqipërisë si një betejë e fortë ligjore.

Rekursi i depozituar në Kolegjin Administrativ vjen pasi Komisioni i Prokurimit Publik zbuloi shkelje flagrante të kryera nga autoriteti shitës dhe anuloi tentativën e shoqërisë shtetërore “Petrol Alba” SHA (në likuidim) për t’ia kaluar këtë aset me një çmim mjaft të ulët kompanisë së ndërtimit “Alb Building” shpk, duke shkelur hapur ligjin e ankandeve publike.

Ankand korruptiv
Procedura e ankandit publik të hapur u zhvillua më 12 mars 2025 për shitjen e dy pasurive të mëdha tokësore në Zonën Kadastrale 2441 në Cërrik, me një sipërfaqe masive totale prej 48,150 m² truall dhe ndërtesa. Vlera fillestare e përcaktuar nga shteti për këtë sipërfaqe ishte vetëm 31,266,135 lekë.

Në garë u paraqitën katër konkurrentë, ku përfshiheshin shoqëritë tregtare “Alb Building” shpk dhe “DEHA 2010” shpk, si dhe dy kandidatë blerës si individë, z. Gerti Shanaj dhe z. Antion Dollani.

Që në fazën e parë, komisioni i ankandit skualifikoi dy individët dhe hapi vetëm ofertat e kompanive, duke shpallur fitues “Alb Building” shpk me vlerën 35,080,603.80 lekë pa TVSH, çka përkthehet në vlerën e ulët prej vetëm 728.57 lekësh për metër katror truall industrial.

Ankandi korruptiv për truallin e rafinerisë së Cërrikut

Odhise Bershka dhe Pellumb Beta, pronaret e Alb Building

Arsyeja zyrtare e përdorur për skualifikimin e kandidatit Gerti Shanaj ishte mosdorëzimi i Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) për vitin 2021.

Shanaj paraqiti menjëherë ankesë duke argumentuar se kishte dorëzuar deklaratat e viteve 2022, 2023 dhe 2024, pasi afati i ligjshëm për vitin 2024 mbyllej më 31 mars 2025 dhe ky konsiderohej viti i fundit i mbyllur.

Ai pretendoi se komisioni kishte vendosur qëllimisht kritere konfuzuese jashtë ligjit bazë me synimin e vetëm për të përcaktuar fituesin pa garë.

Shkelje e ligjit
Zbulimi më i rëndë i dosjes administrative ka të bëjë me nxitimin flagrant të drejtuesve të “Petrol Alba”. Sipas Ligjit “Për Ankandin Publik”, sapo një konkurrent dorëzon ankesë me shkrim, autoriteti shitës ka detyrimin ligjor të pezullojë menjëherë procedurën derisa ankesa të shqyrtohet plotësisht.

Gerti Shanaj e dorëzoi ankesën e tij më 18 mars 2025, por në vend që të ngrinte garën, likuidatori në detyrë i “Petrol Alba”, Ilir Zela, ndërmori një sërë hapash të shpejtë brenda të njëjtës ditë, më 20 mars 2025.

Ai nënshkroi formularin e njoftimit të fituesit dhe njoftimin e shpalljes së fituesit për Alb Building, si dhe ia dërgoi shkresat Agjencisë së Prokurimit Publik duke kërkuar publikimin e menjëhershëm në Buletin, gjë që u pasqyrua në Buletinin Nr. 14 të datës 25 mars 2025.

I vënë nën presion, Petrol Alba tentoi të justifikohej përpara KPP-së përmes një shkrese ku pretendonte se kompania ndodhej në krizë të thellë likuiditeti.

Ata dorëzuan një akt të bankës “Credins” që vërtetonte se llogaritë e shoqërisë nuk kishin fonde as për pagat e punonjësve dhe se kjo shitje ishte emergjente, pasi kompania u detyrohej 150 punonjësve aktualë dhe të larguar një vlerë prej 42,452,700 lekësh për paga të prapambetura mbi dy vite.

Bllokim dhe hetim
Komisioni i Prokurimit Publik, rrëzoi tërësisht strategjinë e përdorur nga autoriteti shitës. Përmes një vendimi, KPP konstatoi pavlefshmërinë absolute të formularit të njoftimit të fituesit dhe shkresës së publikimit të datës 20 mars, duke specifikuar se ato janë ligjërisht jo-ekzistente pasi u nxorën në shkelje të hapur të urdhrit të pezullimit.

KPP urdhëroi anulimin e shpërblimit të garës për “Alb Building” shpk, kthimin e situatës në gjendjen fillestare dhe detyrimin e “Petrol Alba” për të rishikuar skualifikimin e Gerti Shanajt.

KPP vuri në dukje se komisioni i ankandit duhej të kërkonte sqarime zyrtare dhe të verifikonte në tatime nëse Shanaj ka qenë ose jo në kushtet detyruese për vitin 2021 përpara se ta përjashtonte.

Në përfundim, KPP i dërgoi propozim zyrtar Agjencisë së Prokurimit Publik për nisjen e një hetimi administrativ për konstatimet dhe shkeljet e kryera gjatë kësaj procedure.

Ky vendim bllokoi kalimin e pronësisë së 4.8 hektarëve tokë shtetërore në Cërrik drejt kompanisë private, gjë që ka detyruar palët e prekura t’i drejtohen Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, duke e zhvendosur përfundimisht të gjithë konfliktin në rrugë gjyqësore./Kapitali

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.