I vuri zjarrin marketit në Cërrik, arrestohet 45-vjeçari
Një 45-vjeçar është arrestuar nga Policia në Cërrik, pasi dyshohet se i ka vënë qëllimisht zjarrin një marketi në lagjen nr. 3 të qytetit.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 07:30 të datës 8 tetor 2026. Menjëherë pas marrjes së njoftimit për zjarrin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur veprimet për identifikimin e personit përgjegjës.
Sipas Policisë, nga zjarri u rrezikuan punonjësit që ndodheshin brenda subjektit, ndërsa flakët shkaktuan dëme edhe në disa prej produkteve të marketit.
Pas veprimeve operative dhe procedurale, uniformat blu kanë bërë të mundur identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e të dyshuarit brenda pak orësh.
I arrestuari është shtetasi A. M., 45 vjeç, banues në Cërrik.
Policia ka referuar materialet procedurale pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për vijimin e hetimeve dhe veprimeve të mëtejshme.
45-vjeçari dyshohet për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



