APP kap “mat” në shkelje me tenderat Ministrinë e Mbrojtjes
Nuk u verifikua cilësia e mallrave, masa për 3 zyrtarë
Kontrollet mbi mënyrën se si zbatohen kontratat publike vijojnë të nxjerrin në pah mangësi serioze në administrimin e fondeve publike. Rasti më i fundit lidhet me Ministrinë e Mbrojtjes, ku Agjencia e Prokurimit Publik (APP) ka konstatuar shkelje gjatë monitorimit të një kontrate për furnizim me mallra dhe ka propozuar masa disiplinore ndaj tre personave përgjegjës. Hetimi administrativ u nis pas një ankimi nga një palë e tretë, çka tregon se problemet nuk u evidentuan nga mekanizmat e brendshëm të institucionit.
Sipas gjetjeve të APP-së, Ministria e Mbrojtjes nuk ka arritur të provojë se ka kryer verifikimet e detyrueshme për të garantuar se mallrat e dorëzuara ishin në përputhje me specifikimet teknike dhe standardet e cilësisë të përcaktuara në dokumentet e tenderit. Praktikisht, autoriteti kontraktor nuk ka dokumentuar nëse produktet e marra me fondet publike ishin realisht ato që ishin kontraktuar.
Po aq problematik rezulton edhe një tjetër konstatim i APP-së. Sipas vendimit, nuk është provuar se është verifikuar deklarata e operatorit ekonomik për prodhuesin e mallit, dokument mbi të cilin kompania ishte shpallur fituese e procedurës së prokurimit. Kjo përbën një hallkë të rëndësishme të kontrollit të ligjshmërisë dhe transparencës së tenderit, pasi lidhet drejtpërdrejt me besueshmërinë e ofertës fituese.
Për këto mangësi, APP ka vendosur të propozojë masa disiplinore ndaj tre zyrtarëve përgjegjës, duke vlerësuar se detyrimet ligjore për monitorimin e kontratës nuk janë përmbushur.
Rasti ngre sërish pikëpyetje mbi efektivitetin e kontrolleve që kryhen pas nënshkrimit të kontratave publike. Nëse institucionet nuk dokumentojnë verifikimin e cilësisë së mallrave dhe nuk kontrollojnë elementët mbi të cilët është shpallur fitues një operator ekonomik, rrezikohet që fondet publike të shpenzohen pa garanci se shteti ka marrë produktin për të cilin ka paguar. Pikërisht për këtë arsye, monitorimi i kontratave konsiderohet po aq i rëndësishëm sa edhe vetë procedura e zhvillimit të tenderit./ekofin.al
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




