E martë, 24 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Arrestimi i dajës së saj në Roskovec, reagon Zegjine Çaushi
Lajme

Arrestimi i dajës së saj në Roskovec, reagon Zegjine Çaushi

Deputetja e Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi, ka reaguar pas ngjarjes së ndodhur në fshatin Suk 2 të Roskovecit, ku daja i saj, Bledar Bakaj, u arrestua nga Policia pas një konflikti me babanë e ish-bashkëjetueses së tij.

Në një deklaratë publike, Çaushi shprehet se është informuar për ngjarjen përmes mediave dhe distancohet nga çdo formë dhune, pavarësisht personit që e ka ushtruar atë.

Reagimi i saj vjen pasi emri i deputetes u përmend në raportimet për ngjarjen për shkak të lidhjes familjare me 52-vjeçarin e arrestuar.

Sipas Policisë, Bakaj dyshohet se mbrëmjen e 14 shtatorit ka shkuar në banesën e Enver Grëmbit, 67 vjeç, babait të ish-bashkëjetueses së tij. Gjatë konfliktit, ai dyshohet se e ka plagosur Grëmbin në këmbë me një mjet prerës.

67-vjeçari u transportua për ndihmë mjekësore dhe, sipas Policisë, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Autoritetet kanë bërë të ditur gjithashtu se Bakaj dyshohet se ka shkelur një urdhër mbrojtjeje të vendosur nga gjykata në favor të ish-bashkëjetueses së tij. Ai u arrestua pak pas ngjarjes, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë.

Në deklaratën e saj, Çaushi sqaron edhe rrethanat në të cilat kishte takuar Bledar Bakajn dhe Merita Gremajn disa muaj më parë.

Deputetja thotë se i kishte takuar rastësisht në fillim të qershorit, pasi kishte zhvilluar një takim në atë zonë. Sipas saj, pranë banesës kishte parë rreth 10-15 të afërm dhe fqinjë, ndërsa Merita Gremaj i ishte prezantuar si bashkëjetuesja e Bakajt.

“Kam kaluar pranë banesës dhe kam parë të afërm dhe fqinjë, rreth 10-15 veta, në oborrin e banesës. Sapo kam hyrë në oborr kam parë Meritën, e cila m’u prezantua si bashkëjetuesja e Bledarit”, shprehet Çaushi.

Ajo tregon se gjatë bisedës kishte pyetur çiftin nëse kishin vendosur të martoheshin, ndërsa sipas deputetes, Gremaj i ishte përgjigjur se e kishte pranuar situatën në të cilën jetonte Bakaj, pavarësisht kundërshtimit të babait të saj.

“Se mos na hapni probleme”, thotë Çaushi se i ishte drejtuar më pas çiftit, duke iu referuar pikërisht marrëdhënies me babanë e Meritës. Sipas saj, situata ishte mbyllur me të qeshura dhe urime nga personat e pranishëm.

Çaushi thotë se kishte qëndruar rreth 10 minuta dhe më pas ishte larguar për angazhimet e saj. Ajo shton se disa ditë më vonë kishte parë edhe fotografi të çiftit në rrjetet sociale.

“Ky është i gjithë informacioni që kam pasur dhe kam në lidhje me marrëdhënien e tyre. Për këtë ngjarje jam informuar përmes mediave, njësoj si opinioni publik”, deklaron deputetja.

Në fund të reagimit, Çaushi distancohet nga çdo akt dhune dhe kërkon që institucionet të trajtojnë me seriozitet situatën.

“Dua ta them shumë qartë: dënoj me forcë çdo formë DHUNE, pavarësisht se nga KUSH është ushtruar”, shprehet ajo.

Deputetja shton se rasti duhet të trajtohet edhe nga këndvështrimi psikologjik, me synim parandalimin e një përshkallëzimi të mëtejshëm, ndërsa për pjesën tjetër ia lë çështjen organeve ligjzbatuese.

“Për pjesën tjetër, organet ligjzbatuese duhet të bëjnë punën e tyre”, përfundon Zegjine Çaushi.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.