E martë, 24 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Arrestohet në Greqi “i forti i Beratit”, Lulzim Caka
Lajme

Arrestohet në Greqi “i forti i Beratit”, Lulzim Caka

Dyshohet si kreu i grupit që trafikonte kokainë nga Kolumbia

Zbardhet identiteti i shqiptarit të arrestuar në Greqi në kuadër të operacionit të koduar “Lulet e së keqes”, ku autoritetet sekuestruan 84 kilogramë kokainë të trafikuar nga Kolumbia dhe të kamufluar në kërcej plastikë trëndafilash.

Bëhet fjalë për Lulzim Cakën, i njohur si “i forti i Beratit”, një emër i njohur i kronikës së zezë shqiptare që prej viteve ’90. Caka, i cili ishte në kërkim nga autoritetet shqiptare, dyshohet nga hetuesit grekë si një prej drejtuesve të grupit kriminal të goditur në operacion.

Në Greqi ai njihej edhe me emrin John Franco.

Caka është arrestuar së bashku me të birin në një vilë luksoze. Gjatë kontrollit të banesës, autoritetet gjetën rreth 2 kilogramë kokainë, kimikate dhe pajisje që dyshohet se përdoreshin për përpunimin dhe paketimin e drogës, një pistoletë dhe një automjet luksoz.

Operacioni u zhvillua nga autoritetet greke në bashkëpunim me DEA-n amerikane dhe çoi në arrestimin e shtatë personave, shumica prej tyre shqiptarë.

Mes të arrestuarve është edhe një tjetër shtetas shqiptar, i konsideruar nga hetuesit si lidhje mes grupeve të narkotrafikut në Kolumbi. Mediat greke kanë raportuar gjithashtu se një prej personave të arrestuar është emër i njohur në qarqet e biznesit në Shqipëri.

Kompania “fantazmë” dhe shtatë dërgesat e mëparshme

Hetimi ka zbuluar edhe mënyrën se si dyshohet se funksiononte skema e trafikimit.

Kompania që figuronte si importuese e ngarkesave me trëndafila ishte krijuar në vitin 2023, por hetuesit konstatuan se nuk kishte një seli apo staf real. Gjithashtu, aktiviteti i deklaruar i saj nuk lidhej me tregtinë e luleve.

Shërbimet kompetente të AADE-së shqyrtuan historikun e importeve dhe zbuluan se gjatë tetë muajve të mëparshëm ishin kryer edhe shtatë dërgesa të tjera me trëndafila nga Kolumbia drejt Greqisë.

Sipas vlerësimit të hetuesve, një ose dy prej ngarkesave të para mund të kenë shërbyer si test për të verifikuar nëse metoda e trafikimit mund të realizohej pa u zbuluar. Për dërgesat e mëvonshme dyshohet se brenda ngarkesave me lule transportohej edhe kokainë.

Rruga Kolumbi-Kanada-Greqi

Sipas hetimit, grupi nuk përdorte një itinerar të drejtpërdrejtë nga Kolumbia drejt Greqisë.

Ngarkesat kalonin fillimisht përmes Kanadasë, një rrugë që dyshohet se ishte zgjedhur për të ulur rrezikun e evidentimit nga kontrollet doganore dhe policore.

Në Kanada lëshoheshin dokumente të reja transporti. Një kompani vendase paraqitej si dërguese, ndërsa destinacioni final ishte një luleshitës në Artemidha.

Edhe ky biznes dyshohet se ishte krijuar vetëm në mënyrë formale. Ambienti ku figuronte se ushtronte aktivitetin ishte marrë me qira nga persona të lidhur me rrjetin vetëm pak ditë përpara mbërritjes së ngarkesës në Athinë.

84 kilogramë kokainë të fshehura në trëndafila

Droga ishte kamufluar në 80 kuti me lule.

Sipas të dhënave të hetimit, në çdo buqetë me 40 trëndafila, rreth 11 prej tyre ishin modifikuar për të fshehur lëndën narkotike.

Pjesa e sipërme e lules natyrale ruhej, ndërsa kërcelli zëvendësohej me një strukturë plastike, brenda së cilës fshihej kokaina. Kjo metodë e kamuflimit e bënte më të vështirë zbulimin gjatë kontrolleve të zakonshme.

Autoritetet identifikuan 1,058 kërcej plastikë të modifikuar, secili me rreth 79 gramë kokainë të pastër.

Në total u sekuestruan rreth 84 kilogramë kokainë, me një vlerë të përllogaritur nga autoritetet greke në rreth 2.4 milionë euro.

Metoda e transportimit të kokainës përmes ngarkesave me lule nuk është e re. Raste të ngjashme janë evidentuar edhe më herët, përfshirë një dërgesë me trëndafila të kapur në aeroportin e Amsterdamit në vitin 2023 dhe një tjetër rast të zbuluar nga autoritetet ruse në Shën Petersburg në vitin 2018.

Kush është Lulzim Caka, “i forti i Beratit”

Lulzim Caka është një prej emrave të njohur të kronikës së zezë shqiptare të viteve ’90. Ai është konsideruar si një prej drejtuesve të grupeve kriminale që vepronin në zonat e Beratit, Fierit dhe Lushnjës gjatë periudhës 1995-2000.

Gjykata e Apelit Vlorë e dënoi me 25 vite burg për veprat penale të “vrasjes me dashje”, “vrasjes në rrethana cilësuese, mbetur në tentativë” dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.

Çështja lidhej me një ngjarje të marsit 1998, kur Caka i bëri rezistencë forcave të policisë.

Sipas materialeve të referuara, Caka sapo ishte liruar nga burgu përmes manipulimit të dokumenteve dhe ishte rikthyer në aktivitet kriminal. Pas informacioneve se ndodhej në fshatin Pobrat të Beratit, policia organizoi një operacion për kapjen e tij.

Forcat policore, të drejtuara nga Gani Malushi dhe Ilir Ngresi, të cilët më vonë humbën jetën në atentate, rrethuan Cakën dhe dy bashkëpunëtorët e tij.

Të armatosur me kallashnikovë, ata i rezistuan policisë për rreth gjysmë ore. Caka u kap i plagosur, ndërsa bashkëpunëtori i tij Xhevahir Çela mbeti i vrarë.

Pas ngjarjes, Caka akuzoi shtetin se kishte dhënë urdhër për eliminimin e tij. Sipas materialit të referuar, hetimet konstatuan gjithashtu se ai kishte qëlluar ndaj bashkëpunëtorit të tij.

Hakmarrja pas vrasjes së nënës

Një prej episodeve më të rënda të lidhura me historinë e Cakës është vrasja e nënës së tij, Xhevrie Caka.

Në vitin 1999, ajo kishte shkuar për të takuar të birin, i cili ndodhej i arrestuar në Fier, por u rrëmbye pranë Komisariatit të Policisë. Trupi i saj u gjet më pas në pyllin e Semanit.

Pas ngjarjes, Caka u betua për hakmarrje. Pas arratisjes nga burgu, në fshatin Samaticë ai vrau Valter Begën dhe Mariglen Camin, të cilët konsideroheshin si autorë të vrasjes së nënës së tij.

Emri i Cakës ishte përfolur edhe në vitin 1995 në lidhje me vrasjen e arkëtarit të Kutallisë. Në atë periudhë, ai dhe personat që e shoqëronin akuzoheshin gjithashtu se ngrinin postblloqe të armatosura dhe sulmonin automjete përgjatë aksit Berat-Fier.

Përplasjet me drejtësinë

Historia gjyqësore e Lulzim Cakës ka kaluar në disa procese dhe shkallë të gjyqësorit.

Ai është arrestuar dhe liruar disa herë për mungesë provash, ndërsa çështjet e tij kanë vijuar në instanca të ndryshme.

Caka iu drejtua Gjykatës Kushtetuese më 19 dhjetor 2012 për “prishje të vendimeve”, më pas Gjykatës së Apelit Vlorë më 28 prill 2015 dhe Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë në vitin 2017.

Në vitin 2003, ai u soll në Shqipëri pas një marrëveshjeje ekstradimi me Italinë. Pas 16 vitesh të kaluara në burg, dënimi prej 25 vitesh konsiderohej i shlyer.

Sipas materialit, mbrojtja e Cakës kishte paralajmëruar gjithashtu se më 20 shtator do t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit nr. 00-2015-2122, datë 28.04.2015, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i cili kishte lënë në fuqi dënimin me 25 vite heqje lirie.

Tashmë, pas arrestimit në Greqi, emri i Lulzim Cakës rikthehet në qendër të vëmendjes, këtë herë në kuadër të hetimit për një rrjet të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të kokainës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.