Artan Hoxha: Ballukun e pret një fundi i tmerrshëm
Gazetari Artan Hoxha: Balluku mes “një tmerri pa fund” dhe “një fundi të tmerrshëm”
Gazetari Artan Hoxha foli mbrëmjen e sotme në emisionin “Kjo Javë” mbi dosjen hetimore që përfshin zv/kryeministren Belinda Balluku, duke iu referuar ekstrakteve të publikuara në media lidhur me dyshimet për korrupsion.
Sipas Hoxhës, Balluku ndodhet përballë një zgjedhjeje dramatike: ose të vijojë përpjekjet për të shpëtuar, duke u zhytur edhe më thellë në problem, ose të përballet menjëherë me pasojat ligjore.
“Balluku sot mund të zgjedhë një tmerr pa fund ose një fund të tmerrshëm. Tmerri pa fund është rruga ku përpiqesh të shpëtosh, por zhytësh edhe më shumë. Fundi i tmerrshëm është dorëzimi i menjëhershëm dhe arrestimi”, u shpreh ai.
Më tej, gazetari theksoi se kryeministri Edi Rama nuk është i shkëputur nga kjo situatë, por sipas tij po përpiqet të vonojë përballjen me drejtësinë.
“Rama nuk është thjesht pranë, por po përpiqet të vonojë vajtjen e tij në SPAK”, deklaroi Hoxha.
Ai renditi gjithashtu tre rastet më të forta të këtij viti – Erion Veliaj, Belinda Balluku dhe AKSHI – të cilat i cilësoi si “tre rrënjët kryesore që mbanin trungun e pushtetit të Edi Ramës”.
“Ngjarjet e këtij viti nisën me Erion Veliajn, vazhduan me Ballukun dhe përfunduan me AKSHI-n. Janë tre rrënjët kryesore të pushtetit. Dhe bëhet fjalë për qarkun më të madh në vend, që nuk ka ndodhur të fitojë 12 mandate dhe që na solli edhe Zegjinenë në Parlament”, përfundoi Artan Hoxha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



