As reshjet e shiut nuk bën ‘derman’, riaktivizohen flakët në landfillin e Bushatit
Zjarri në landfillin e Bushatit është rikthyer sërish, duke vënë në alarm autoritetet lokale dhe ekipet e emergjencës. Edhe pse reshjet e shiut krijuan përshtypjen se situata ishte vënë nën kontroll, vatrat e zjarrit janë riaktivizuar gjatë mbrëmjes së kaluar, duke dëshmuar vështirësinë në shuarjen përfundimtare të flakëve në një zonë të tillë problematike.
Në terren vijon puna intensive nga forcat zjarrfikëse, të cilat po ndërhyjnë pa ndërprerje për të kufizuar përhapjen e zjarrit. Krahas tyre, janë angazhuar edhe mjete të rënda, që po hedhin shtresa dheu mbi zonat e përfshira nga flakët, me qëllim izolimin e tyre dhe parandalimin e riaktivizimit të mëtejshëm.
Situata mbetet e ndërlikuar për shkak të natyrës së mbetjeve në landfill, të cilat favorizojnë ndezje të brendshme dhe të vazhdueshme, edhe në kushte lagështie. Autoritetet po monitorojnë nga afër zhvillimet, ndërsa ndërhyrja pritet të vijojë deri në neutralizimin e plotë të rrezikut.
Kujtojmë se zjarri në këtë vendgrumbullim mbetjesh ka nisur më 19 prill dhe prej asaj dite ka krijuar shqetësime të vazhdueshme për ndotjen e ajrit dhe rrezikun për zonat përreth.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



