Askush s’guxon t’a blejë, njihuni me pallatin e fantazmave në Venecia
Kushton 17 milionë euro
Vrasje, vetëvrasje dhe legjenda të errëta!
I pozicionuar në një nga pikat më prestigjioze të Kanalit të Madh të Venedikut, pallati historik Ca’ Dario qëndron mbi ujë prej fundit të shekullit XV. Vetëm pak hapa larg Koleksionit Peggy Guggenheim, kjo ndërtesë elegante përshkruhet shpesh si një perlë arkitekturore, por për dekada me radhë ka mbetur pa një pronar të qëndrueshëm.
Arsyeja? Një reputacion i errët që e ka ndjekur ndër shekuj. Ca’ Dario konsiderohet nga vendasit si “pallati i mallkuar”, i lidhur me vrasje, vetëvrasje dhe ngjarje të pashpjegueshme që kanë ndodhur brenda mureve të tij ose kanë prekur ata që e kanë zotëruar apo vizituar.
Ndërtesa mban emrin e pronarit të saj të parë, Giovanni Dario, diplomat venecian i shpallur hero pasi arriti të nënshkruante një traktat paqeje me Perandorinë Osmane. Ironikisht, ai ishte një nga të paktët që jetoi gjatë, duke ndërruar jetë nga shkaqe natyrore në moshën 80-vjeçare.

Gjatë shekujve, pallati ka qenë shtëpi e fisnikëve, tregtarëve të pasur dhe më vonë edhe figurave të njohura të jetës kulturore europiane, përfshirë emra të elitës britanike të muzikës rock. Në vitin 1908, Ca’ Dario u përjetësua në telajo nga Claude Monet gjatë vizitës së tij në Venedik, ndërsa një vit më vonë u përmend edhe nga shkrimtari Henry James në ditarin “Orët italiane”.
Megjithatë, pavarësisht historisë dhe bukurisë së tij – me nëntë dhoma gjumi, tetë banjo dhe salla pritjeje madhështore të zbukuruara me afreske – pallati ka rezultuar tepër i vështirë për t’u shitur. Dhe kjo jo domosdoshmërisht për shkak të çmimit, i cili sipas burimeve arrin në rreth 17,024,900 euro.
Agjentët e pasurive të paluajtshme kanë hasur vështirësi për të kapërcyer famën e tij si “pallati i mallkuar i Venedikut”, një reputacion i ushqyer nga një seri vdekjesh të parakohshme dhe shpesh të dhunshme të pronarëve dhe vizitorëve të tij, siç raporton edhe “The Guardian”.
Pas një rinovimi të plotë, prona ka hyrë sërish në treg, këtë herë nën menaxhimin e Christie’s dhe Engel & Völkers. Christie’s e përshkruan Ca’ Dario-n si një “xhevahir arkitektonik”, duke theksuar harqet gotike, llambadarët antikë Murano dhe lozhën me tarracë, si edhe faktin se ndodhet në një zonë të qetë veneciane, larg flukseve turistike.
Ajo që nuk përmendet në materialet promocionale janë, megjithatë, historitë tragjike që kanë ushqyer legjendën e mallkimit.
Sipas kronikave, pallati lidhet me të paktën shtatë vdekje. Ngjarja më e rëndë ndodhi në vitin 1970, kur pronari i asaj kohe, Konti Filippo Giordano Delle Lanze, u vra brenda pallatit nga partneri i tij, një marinar. Ky i fundit u arratis drejt Londrës dhe u vra më vonë edhe vetë.
Në vitin pasues, prona u ble nga Kit Lambert, menaxheri i grupit legjendar “The Who”. Edhe pse publikisht deklaronte se nuk besonte te mallkimi, ai u rrëfente miqve se preferonte të flinte diku tjetër për të shmangur, sipas tij, praninë e fantazmave. Vendasit e lidhën më pas rënien e tij në varësi nga droga, problemet financiare dhe vdekjen në Londër në vitin 1981 – pas një rënieje nga shkallët – me fatin e keq të pallatit.

Në vitet ’80, Ca’ Dario u ble nga industrialisti italian Raoul Gardini, i cili më vonë u përfshi në një skandal të madh korrupsioni dhe kreu vetëvrasje në Milano në vitin 1993.
Legjendat lokale shkojnë edhe më tej, duke pretenduar se pallati sjell fat të keq edhe për ata që thjesht e vizitojnë. Tenori i famshëm Mario Del Monaco planifikoi ta blinte pronën në vitin 1964, por hoqi dorë pas një aksidenti të rëndë automobilistik gjatë rrugës për ta parë. Ndërsa John Entwistle, basisti i “The Who”, vdiq në SHBA në vitin 2002, vetëm një javë pasi kishte marrë me qira pallatin.
Pas kësaj periudhe, ndërtesa mbeti kryesisht e braktisur. Edhe pse arkitektura e saj tërhoqi interesin e figurave të njohura, përfshirë edhe Woody Allen, thuhet se shumë prej tyre u tërhoqën nga elementë simbolikë, si perdet e saj të errëta.
Në vitin 2006, pallati u ble nga një kompani amerikane në emër të pronarit aktual, identiteti i të cilit nuk është bërë publik. Që prej asaj kohe, fakti që prona ka mbetur bosh vetëm sa ka shtuar zërat dhe spekulimet.
Duke komentuar këto histori, Arnaldo Fussello, drejtor i përgjithshëm i Christie’s në Venecia, tha se venecianët kanë një prirje për të treguar histori intriguese, sidomos për turistët. Ai përmendi madje edhe gondolierët që, ndërsa kalojnë para pallatit, u rrëfejnë pasagjerëve histori për fantazma. Fussello theksoi se gjatë shekujve “qindra” njerëz kanë jetuar në Ca’ Dario deri në një moshë të pjekur.
Historiani venecian Davide Bussato tha se thashethemet nisën seriozisht në vitet ’70 dhe u përforcuan pas vetëvrasjes së Gardini-t. Sipas tij, venecianët pëlqejnë të tregojnë histori dhe shpesh i ekzagjerojnë, ashtu siç kanë bërë edhe me ishullin e famshëm të Poveglia-s, i njohur për legjendat e tij të errëta.

Ai shtoi se Venecia është e mbushur me ndërtesa historike ku kanë ndodhur krime apo vetëvrasje dhe që sot funksionojnë si hotele luksoze. “Si çdo legjendë, edhe ajo e Palazzo Ca’ Dario-t është ndërtuar mbi disa ngjarje reale, të cilat janë zmadhur dhe ndërthurur me fantazi,” u shpreh ai.
Nga ana tjetër, Fussello mbetet optimist se pallati do të shitet. Sipas tij, interesi ka qenë i lartë, si nga blerës italianë, ashtu edhe nga të huaj.
“Ky është një vend ku historia është e gjallë,” tha ai. “Dhe nëse dikush dëshiron të jetojë mes historisë, atëherë kjo është shtëpia ideale – me kusht që pronari i ardhshëm të jetë i gatshëm ta ruajë dhe ta mbajë gjallë këtë trashëgimi.”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



