Atentati ndaj Arjan Ndojës, GJKKO thërret si dëshmitar Halit Valterin
Procesi gjyqësor për atentatin e 1 nëntorit 2019 në autostradën Tiranë–Durrës, ku objektiv ishte ish-prokurori Arjan Ndoja, aktualisht deputet i Partisë Demokratike, vijon me zhvillime të reja dhe vendime të rëndësishme nga Gjykata e Posaçme.
Në seancën e fundit, trupa gjykuese ka pranuar kërkesën e palës mbrojtëse për të thirrur dhe marrë në pyetje si dëshmitar ish-deputetin Halit Valteri. Ky vendim konsiderohet kyç për vijimin e procesit, i cili po zhvillohet ndaj të pandehurve Amar Shkëmbi dhe Bledar Polovina.
Sipas akuzave të ngritura nga SPAK, dy të akuzuarit dyshohet se kanë qenë të përfshirë në atentatin e ndodhur në zonën e mbikalimit të Shkozetit. Në atë ngjarje të rëndë, objektivi kryesor ishte Arjan Ndoja, i cili mbeti i plagosur.
Si pasojë e sulmit, humbi jetën Andi Maloku, shoferi i ish-prokurorit, ndërsa përveç Ndojës, i plagosur mbeti edhe Aleksandër Laho. Ngjarja vijon të jetë një nga dosjet më të ndjeshme në drejtësinë shqiptare, ndërsa pritet që dëshmitë e reja të hedhin më shumë dritë mbi rrethanat dhe autorësinë e atentatit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



