Atentati në Fier: Ndërron jetë në spital nipi i Selami Hasanit
Jakup Hasani kishte marrë 3 plumba
Ka ndërruar jetë në spital Jakup Hasani, nipi i Selami Hasanit. Ai u plagos rëndë në atentatin e mëngjesit të së hënës në lagjen “1 Maji” në Fier.
Hasani u godit me tre plumba në trup. Mjekët u përpoqën ta shpëtonin, por ai nuk i mbijetoi dot plagëve.
Ngjarja ndodhi dje rreth orës 09:40, pranë shtëpisë së Selami Hasanit, i njohur edhe me nofkat “Sel Çami” ose “Seli i Matit”. 60-vjeçari u vra me armë zjarri ndërsa punonte në oborrin e banesës së tij. Autorët qëlluan me breshëri plumbash drejt tij dhe nipit, pastaj u larguan me makinë nga vendi i ngjarjes.
Pas atentatit, policia gjeti një automjet të përfshirë nga flakët në fshatin Ndërmenas. Dyshohet se ishte një nga mjetet e autorëve, dhe brenda tij u gjetën dy armë zjarri. Pak më vonë, pranë rrethrrotullimit të Pojanit u gjet i djegur plotësisht një tjetër automjet, një “Volvo”.
Hetuesit dyshojnë se të dyja makinat u përdorën për atentatin dhe më pas u dogjën për të zhdukur gjurmët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



