E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Atentati në Gjirokastër, policia merr në pyetje 23 persona
Lajme

Atentati në Gjirokastër, policia merr në pyetje 23 persona

Policia ka marrë në pyetje 23 persona gjatë dy ditëve të fundit në kuadër të hetimeve për vrasjen e Beqir Devollit, i njohur si Çilo Hundërri, i cili humbi jetën pas shpërthimit të automjetit të tij në bulevardin “18 Shtatori” në Gjirokastër.

Grupi hetimor po shqyrton disa pista për të zbuluar motivin e atentatit dhe për të identifikuar personat përgjegjës. Në fokus janë e kaluara e viktimës, marrëdhëniet e tij shoqërore dhe kontaktet që mund të ndihmojnë në rindërtimin e ngjarjeve përpara shpërthimit.

Një prej personave të pyetur është Erigers Mela, i cili kishte njohje shoqërore me Devollin. Sipas informacioneve të raportuara, Mela u ka deklaruar hetuesve se nuk kishte konflikte apo armiqësi me askënd dhe se me viktimën kishte pasur marrëdhënie shoqërore prej kohësh.

Sipas të njëjtave burime, dy personat njiheshin prej vitesh dhe përdornin herë pas here edhe automjetet e njëri-tjetrit. Erigers Mela është djali i ish-prokurorit të ndjerë Përparim Mela. Marrja e tij në pyetje, ashtu si edhe e personave të tjerë, nuk nënkupton se ata janë të dyshuar për përfshirje në vrasje.

Familjarët: Nuk dinim për konflikte

Në kuadër të hetimeve janë pyetur edhe familjarët e Beqir Devollit. Sipas dëshmive të tyre, ata nuk kishin dijeni për ndonjë konflikt apo armiqësi që viktima mund të kishte pasur me persona të tjerë.

Familjarët kanë treguar se Devolli ishte shfaqur kohët e fundit i shqetësuar, por këtë gjendje e lidhnin me faktin se ishte i papunë. Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë nëse shqetësimi i tij kishte ndonjë lidhje me rrethana të tjera që mund të ndihmojnë në zbardhjen e motivit të krimit.

Dyshimet për ndjekjen e viktimës para shpërthimit

Një tjetër drejtim i hetimit lidhet me lëvizjet e Devollit përpara atentatit. Policia po verifikon nëse autorët e dyshuar e kanë ndjekur atë dhe nëse kanë studiuar paraprakisht itinerarin apo zakonet e tij të përditshme.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, sasia e lëndës shpërthyese të vendosur në automjet përllogaritet në rreth 300 gramë TNT. Ky element po shqyrtohet në kuadër të analizës së mënyrës së organizimit dhe ekzekutimit të atentatit.

Deri më tani, 23 personat e pyetur kanë dhënë informacione mbi njohjet dhe marrëdhëniet që kanë pasur me viktimën. Megjithatë, motivi i vrasjes dhe identiteti i autorëve mbeten ende për t’u zbardhur.

Hetimet vijojnë për të rindërtuar dinamikën e atentatit dhe për të përcaktuar nëse pas tij qëndron ndonjë konflikt i mëparshëm apo një motiv tjetër.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.