Atentati në Rinas, Prokuroria e Tiranës ‘shënjestron’ Shullazin
Prokuroria e Tiranës pritet të marrë në pyetje Emiljano Shullazin në kuadër të hetimeve për atentatin e ndodhur në Rinas, ku humbën jetën Gilmando Dani dhe ish-agjenti i AMP-së, Muçi Shaljani. Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 11 nëntor të vitit të kaluar dhe vijon të mbetet nën hetim intensiv.
Sipas gazetares Klodiana Lala, Shullazi do të pyetet për të dhëna apo dyshime të mundshme lidhur me persona që mund të kenë organizuar atentatin ndaj Gilmando Danit, i cili rezulton të ketë pasur lidhje të drejtpërdrejta me grupin e tij kriminal.
Gilmando Dani ishte pjesë aktive e grupit të drejtuar nga Shullazi dhe më herët ishte dënuar për veprën penale të gjobëvënies. Ai ishte liruar nga burgu vetëm një muaj para atentatit, në tetor të vitit 2024.
Marrja në pyetje e Shullazit do të zhvillohet në ambientet e paraburgimit 313, ndërsa ende nuk dihet nëse ai do të pranojë të japë deklarime mbi këtë çështje.
Në momentin e atentatit, Dani po udhëtonte me automjet së bashku me Muçi Shaljanin. Të dy ishin kthyer pak më parë nga Spanja, kur u qëlluan për vdekje pranë aeroportit të Rinasit.
Ndërkohë, hetuesit kanë marrë ditët e fundit dëshmitë e disa personave që ndodheshin në zonën e aeroportit në kohën e ngjarjes. Prokuroria dyshon se autorët e atentatit mund të kenë pasur informatorë brenda aeroportit, të cilët i kanë njoftuar për lëvizjet e viktimave.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



