Autori qëlloi nga afër gjyqtarin Astrit Kalaja
Pamjet e ekzekutimit të gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit
07 Tetor 2025
Publik.al
Imazhe tronditëse, që nëse do të bëheshin publike, do të drithëronin çdo njeri. Burime nga hetimet konfirmojnë për Publik.al se gjyqtari Astrit Kalaja është qëlluar për vdekje në momentin kur po lexonte vendimin përfundimtar “Në emër të Republikës”, në një çështje që kishte të bënte me kundërshtimin e veprimeve përmbarimore.
Pamjet e tmerrit brenda sallës së gjykimit
Kamerat e instaluara në sallën e gjyqit kanë regjistruar momentet e sulmit fatal. Në video,
Elvis Shkambi shihet duke nxjerrë armën, e mbush me qetësi dhe në këmbë qëllon drejt gjyqtarit. Katër të shtëna të njëpasnjëshme, të gjitha me intensitet vdekjeprurës, i morën jetën menjëherë gjyqtarit Kalaja.
Sekretarja e tij, e njohur me emrin “Xhuli”, shpëtoi për mrekulli. Një nga plumbat bëri rrikoshet dhe u kthye drejt kompjuterit të saj, duke e dëmtuar rëndë pajisjen dhe rrezikuar jetën e saj.
Panik dhe tmerr në korridoret e drejtësisë
Në korridoret e Gjykatës së Apelit u dëgjuan britma, ndërsa punonjës dhe qytetarë u përpoqën të fshiheshin nga frika e një shpërthimi të dytë dhune. Pamjet e sigurisë tregojnë njerëz që vrapojnë të tmerruar, teksa autori dhe xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, dalin qetësisht nga salla e gjyqit.
Në mënyrë cinike, njëri prej tyre shihet duke ndezur një cigare në korridor, përpara se të dy të largohen drejt daljes. Ata u arrestuan nga forcat e policisë në derën fundore të godinës, pa bërë asnjë rezistencë.
Hetimet dhe akuzat
Fillimisht në vendngjarje u paraqitën prokurorët e SPAK, për shkak të dyshimeve se ngjarja mund të kishte lidhje me një grup të strukturuar kriminal. Por pas sqarimit të rrethanave dhe motiveve, çështja iu kalua Prokurorisë së Tiranës, e cila ka tashmë kompetencën për hetimin.
Pas marrjes në pyetje, Elvis Shkambi nuk ka shfaqur pendesë për veprën e kryer. Policia i ka komunikuar atij dhe xhaxhait akuzat për:
- “Vrasje për shkak të rrethanave cilësuese” ndaj gjyqtarit Astrit Kalaja,
- “Vrasje me paramendim” në tentativë ndaj dy personave të tjerë (babë e bir),
- dhe “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit”.
Ndërkohë, është arrestuar edhe një punonjës sigurie i Gjykatës së Apelit, i cili akuzohet për “Shpërdorim detyre”, pasi nuk ka kontrolluar siç duhet personat që hynin në sallë, duke lejuar futjen e armës së krimit.
Ngjarja e djeshme ka tronditur themelet e sistemit të drejtësisë në vend. Një gjyqtar u vra në detyrë, teksa lexonte në emër të Republikës një akt që simbolizon fundin e sigurisë juridike në sallat e gjyqeve shqiptare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



