Emaili që ‘paralajmëroi’ vrasjen e gjyqtarit Kalaja
Djali i Shkëmbit i shkroi Gledis Nanos në 2021
Publikohet emaili që djali i Gjon Shkëmbit i ka dërguar ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, që në vitin 2021, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë komunikim zyrtar, Mikael Shkambi kërkonte ndihmë urgjente për të liruar një ndërtesë që, sipas tij, ishte uzurpuar padrejtësisht dhe për të shmangur përplasjet e përditshme mes banorëve që ndodheshin aty dhe familjes Shkambi.
Ai paralajmëronte se situata po agravonte rrezikshëm, një alarm që, siç dëshmon koha, u materializua në mënyrë tragjike pak ditë më parë, me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit nga Elvis Shkambi, nipi i Gjon Shkëmbit. Të dy sot ndodhen në burg.
Dokumentet tregojnë se Mikaeli, student në SHBA në atë kohë, i shkruante Nano-s se babai i tij, Gjon Shkambi, ishte i ekspozuar çdo ditë ndaj konflikteve, kërcënimeve dhe tensioneve të vazhdueshme. Ai kërkonte ndërhyrjen e policisë për të zbatuar vendimin e gjykatës që, sipas tij, ishte injoruar nga strukturat lokale të Shkodrës.
Në email, Mikaeli shprehte qartë frikën se situata mund të precipitohej në një ngjarje të rëndë, duke e cilësuar policinë vendore si të paaftë dhe të kapur nga interesa klienteliste.
Pavarësisht paralajmërimeve të tij, konflikti nuk u zgjidh. Banorët që jetonin në godinën në fjalë, të vendosur fillimisht nga Bashkia Shkodër dhe më pas me dokumente të blera përmes ligjit të parablerjes, vijuan të qëndronin aty, ndërsa familja Shkambi pretendonte pronësinë e ndërtesës.
Ngjarja e rëndë në Gjykatën e Apelit, ku Elvis Shkambi ekzekutoi gjyqtarin Astrit Kalaja pas vendimit që i rrëzoi pretendimet lirimit, ka rikthyer në qendër të vëmendjes historinë e gjatë të konfliktit dhe kërkesën e hershme për ndërhyrje që, siç duket, nuk u trajtua./ Mashqip.con
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



