E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Autoriteti i Konkurrencës miraton programin e “pendesës”
Denoncime

Autoriteti i Konkurrencës miraton programin e “pendesës”

Denonco kartelin dhe shpëto nga gjoba

Kompanitë që kanë marrë pjesë në marrëveshje të fshehta për fiksimin e çmimeve, ndarjen e tregut, kufizimin e prodhimit apo manipulimin e tenderëve mund të përfitojnë imunitet të plotë ose ulje të gjobës, nëse bashkëpunojnë me Autoritetin e Konkurrencës.

Sipas udhëzimit të miratuar me vendimin nr. 1317, datë 17 gusht 2026, ndërmarrja e parë që zbulon pjesëmarrjen e saj në një kartel dhe dorëzon prova vendimtare mund të përfitojë imunitet të plotë nga gjoba.

Përfitimi mund të jepet në rastet kur informacioni i dorëzuar i mundëson Autoritetit të Konkurrencës të kryejë një kontroll të posaçëm ose të provojë shkeljen, në një kohë kur institucioni nuk disponon ende prova të mjaftueshme.

Kompania duhet të identifikojë pjesëmarrësit në marrëveshje, produktet ose shërbimet e prekura, mënyrën e funksionimit të kartelit, takimet, datat, shtrirjen gjeografike dhe kohëzgjatjen e shkeljes. Gjithashtu, ajo duhet të dorëzojë dokumentet dhe provat që disponon.

Për të ruajtur pozicionin në radhën e aplikimeve, kompania mund të kërkojë një “marker”, mekanizëm që i rezervon përkohësisht vendin në procedurë. Megjithatë, aplikimi duhet të plotësohet brenda afatit të përcaktuar nga Autoriteti.

Ulje deri në 50% për kompanitë që denoncojnë më vonë

Kompanitë që aplikojnë pas subjektit të parë nuk përfitojnë imunitet të plotë, por mund të marrin ulje të konsiderueshme të gjobës nëse paraqesin prova me “vlerë të shtuar të konsiderueshme”.

Sipas skemës së përcaktuar:

  • Kompania e parë pas aplikantit për imunitet: ulje 30–50%;
  • Kompania e dytë: ulje 20–30%;
  • Kompanitë e tjera: ulje deri në 20%.

Aplikimet do të shqyrtohen sipas rendit të paraqitjes. Provat e krijuara gjatë periudhës kur karteli ka funksionuar dhe dokumentet që lidhen drejtpërdrejt me shkeljen do të kenë peshë më të madhe sesa deklaratat e përgatitura më vonë.

Për të përfituar nga skema, kompania duhet të bashkëpunojë plotësisht dhe në mënyrë të vazhdueshme me Autoritetin, të mos fshehë apo falsifikojë prova dhe të ndërpresë pjesëmarrjen në kartel.

Ndërmarrjet që kanë detyruar kompani të tjera të bëhen pjesë e marrëveshjes nuk mund të përfitojnë imunitet të plotë, por mund të kërkojnë ulje të gjobës.

Imuniteti i parashikuar nga kjo procedurë lidhet vetëm me gjobën që do të vendoste Autoriteti i Konkurrencës dhe nuk përbën automatikisht mbrojtje nga përgjegjësi të tjera ligjore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.