Konkurrenca ‘ultimatum’ për One dhe Vodafone: Keni 90 ditë kohë
Kompanitë duhet të ndryshojnë sjelljen me klientët, paketat dhe kontratat
One Albania dhe Vodafone Albania do të duhet të ndryshojnë brenda 90 ditëve një sërë praktikash në tregun e telefonisë celulare, pas vendimit të Autoritetit të Konkurrencës, i cili ka përfunduar hetimin e thelluar ndaj dy operatorëve.
Masat e vendosura synojnë të rrisin konkurrencën, të zgjerojnë alternativat për konsumatorët dhe të forcojnë transparencën në marrëdhëniet mes operatorëve dhe abonentëve.
Vendimi i Komisionit të Konkurrencës, nr. 1307, datë 24 korrik 2026, parashikon një paketë detyrimesh konkrete që të dy kompanitë duhet t’i zbatojnë brenda afatit të përcaktuar.
Paketa më të favorshme për pensionistët dhe studentët
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me kategoritë që kanë nevojë për oferta më të përballueshme.
Brenda 90 ditëve, One dhe Vodafone duhet të ofrojnë paketa të veçanta dhe më të favorshme për pensionistët, si dhe për studentët nga 18 deri në 23 vjeç.
Autoriteti i Konkurrencës synon që këto oferta të krijojnë alternativa reale për konsumatorët dhe të mos jenë thjesht ndryshime formale në paketat ekzistuese.
Paketa më e lirë duhet të gjendet edhe në dyqane
Një tjetër detyrim i rëndësishëm lidhet me mënyrën e aksesimit të ofertave.
Paketa më e lirë e secilit operator duhet të jetë e disponueshme edhe në pikat fizike të shitjes. Kjo do të thotë se konsumatorët nuk duhet të detyrohen të përdorin aplikacionet apo kanalet online për të përfituar ofertën më ekonomike.
Masa synon të shmangë një situatë ku ofertat më të favorshme janë praktikisht të aksesueshme vetëm nga konsumatorët që përdorin kanalet digjitale.
Abonentët mund të kalojnë në paketë më të lirë
Ndryshime parashikohen edhe për abonentët pas përfundimit të kontratës.
Sipas vendimit, konsumatori duhet të ketë mundësi të kalojë në një paketë më të lirë pa u përballur me penalitete apo pengesa të pajustifikuara.
Kjo masë synon t’u japë abonentëve më shumë liri për të zgjedhur një shërbim që përputhet me nevojat dhe mundësitë e tyre financiare.
Ndryshimet e çmimeve, njoftim 30 ditë përpara
Në fokus është vendosur edhe transparenca për ndryshimet në paketat telefonike.
Çdo ndryshim në çmim, përmbajtje apo kohëzgjatje të vlefshmërisë së një pakete duhet t’i komunikohet individualisht abonentit, në mënyrë të qartë dhe të paktën 30 ditë përpara se ndryshimi të hyjë në fuqi.
Po ashtu, operatorët duhet të kenë analiza të dokumentuara të kostove për çdo rritje çmimi. Ky dokumentacion duhet të ruhet për një periudhë pesëvjeçare.
Konkurrenca kërkon diferencim real të paketave
Sipas gjetjeve të Autoritetit të Konkurrencës, gjatë periudhës së hetimit janë evidentuar rritje progresive dhe të përafërta të çmimeve, ngjashmëri e lartë mes paketave, reduktim i ofertave me çmime të ulëta dhe mangësi në dokumentimin e kostove që lidhen me ndryshimet tarifore.
Për këtë arsye, Autoriteti ka kërkuar që paketat e reja të kenë diferencim real dhe të mos kufizojnë zgjedhjen e konsumatorëve.
Edhe kontratat tip të operatorëve do t’i nënshtrohen vlerësimit paraprak nga Autoriteti i Konkurrencës, me qëllim shmangien e klauzolave që mund të konsiderohen të padrejta.
Në kontrata duhet të përcaktohet gjithashtu në mënyrë të qartë procedura dhe afati për bartjen e numrit nga një operator te tjetri.
Masat do të monitorohen për një vit
Autoriteti i Konkurrencës ka bërë të ditur se të gjitha detyrimet e vendosura ndaj One Albania dhe Vodafone Albania do të monitorohen për një periudhë njëvjeçare nga hyrja në fuqi e vendimit.
Vendimi synon të adresojë problematika që lidhen me informimin e konsumatorëve, aksesin në oferta më ekonomike, mundësinë për të zgjedhur paketa më të lira, transparencën kontraktore dhe krijimin e alternativave më të përshtatshme për kategori me të ardhura më të ulëta.
Në rast se njëra prej masave nuk zbatohet, të dy operatorët rrezikojnë penalitetet e parashikuara nga legjislacioni në fuqi për konkurrencën.
Njoftimi zyrtar i Konkurencës:
Autoriteti i Konkurrencës, në përfundim të hetimit të thelluar ndaj Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA në tregun me pakicë të shërbimeve celulare ka vendosur kushte dhe detyrime specifike që reflektojnë ankesat e konsumatorëve pranë Autoritetit. Vendimi i Komisionit të Konkurrencës synon korigjimin e shqetësimeve konkrete që kanë prekur konsumatorët dhe garantimin e çmimeve më të lira për shtresën e pensionistëve dhe studentëve, si dhe më shumë transparencë e mundësi zgjedhjeje për abonentët e të dy operatorëve.
Gjatë periudhës së hetuar u konstatuan rritje progresive dhe të përafërta të çmimeve, ngjashmëri e lartë ndërmjet paketave, reduktim i ofertave me çmime të ulëta dhe mangësi në dokumentimin e kostove që justifikojnë ndryshimet tarifore. Për pasojë, Autoriteti i Konkurrencës vendosi masa konkrete në interes të qytetarëve. Sipas vendimit:
- brenda 90 ditëve, të dy operatorët duhet të ofrojnë paketa të veçanta më të favorshme për pensionistët dhe studentët 18–23 vjeç;
- paketa më e lirë duhet të jetë realisht e disponueshme edhe në pikat fizike të shitjes, jo vetëm në aplikacione online apo kanale digjitale;
- pas përfundimit të kontratës, çdo abonent duhet të ketë të drejtë të kalojë në një paketë më të lirë, pa penalitete dhe pa pengesa të pajustifikuara;
- çdo ndryshim në çmim, përmbajtje apo vlefshmëri të paketës duhet t’i njoftohet individualisht abonentit, qartë dhe të paktën 30 ditë përpara;
- çdo rritje çmimi duhet të mbështetet në analiza të dokumentuara të kostove dhe ky dokumentacion duhet të ruhet për pesë vjet;
- paketat e reja duhet të kenë diferencim real dhe të mos kufizojnë zgjedhjen e konsumatorit;
- kontratat tip duhet të marrin vlerësimin paraprak të Autoritetit të Konkurrencës për shmangien e klauzolave të padrejta;
- procedura dhe afati për bartjen e numrit nga një operator te tjetri duhet të shkruhen qartë dhe kuptueshëm në kontratë.
Vendimi nr. 1307 i datës 24/07/2026 korrigjon probleme konkrete të konsumatorit: mungesën e informimit, vështirësinë për të zgjedhur një paketë më të lirë, aksesin e kufizuar në ofertat ekonomike, paqartësitë kontraktore dhe mungesën e alternativave për shtresa me të ardhura të ulëta.
Të gjitha detyrimet e vendosura nga Autoriteti i Konkurrencës do të monitorohen për një vit nga hyrja në fuqi e vendimit.
Në rast moszbatimi të një prej pikave të vendimit, Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA do të përballen me penalitetet e parashikuara nga ligji.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



