Babai rrëfen detaje tronditëse nga dhunimi i 17-vjeçares në Fier
Sy të nxirë, flokë të shkulur dhe shenja në trup
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Fierin, ku një 17-vjeçare ka përjetuar momente të tmerrshme dhune. Dita e 8 qershorit u kthye në një makth për adoleshenten, e cila dyshohet se u dërgua kundër vullnetit në banesën e një vajze dhe më pas u dhunua fizikisht nga tre të reja, një 20-vjeçare dhe dy 15-vjeçare.
Rasti bëhet edhe më alarmant për faktin se dhuna nuk u ushtrua në fshehtësi. Sipas hetimeve, e gjithë ngjarja është filmuar me celular, ndërsa autorët shfaqen duke qeshur dhe duke nxitur njëra-tjetrën gjatë aktit të dhunës.
Pamjet janë bërë publike vetëm së fundmi, duke rikthyer në vëmendje fenomenin shqetësues të bullizmit dhe dhunës mes të rinjve, ku jo vetëm ushtrohet dhuna, por kërkohet edhe ekspozimi i saj.
E mitura, e shoqëruar nga nëna e saj, e denoncoi menjëherë rastin në polici. Sipas dëshmisë, ajo ishte marrë me forcë dhe dërguar në banesën ku ndodhi dhuna.
Babai i 17-vjeçares ka rrëfyer detajet e ngjarjes në emisionin “Me Zemër të Hapur” të autores dhe moderatores Evis Ahmeti, duke treguar momentet e vështira që ka kaluar familja:
“Me vajzën kam folur, është pak më mirë.
Atë ditë kisha një parandjenjë dhe e mora vajzën në telefon, fillimisht nuk po më tregonte. E mora përsëri nuk ma hapte telefonin, më pas më tha që po bënte një serum në spital sepse nuk ndihej mirë.
Më pas mora nusen në telefon dhe i thash të shkonte në Fier të merrte vajzën, nga motra e nuses e morëm vesh ngjarjen e cila kishte parë videon. Unë punoj në Orikum.
Vajza më ka treguar se vajzat i njihte shoqe pas shoqeje. E kishin pritur pas kursit, i kishin thënë se duhet të sqaronin diçka e kanë dërguar në shtëpi dhe më pas ka ndodhur ajo që e patë të gjithë.
Në qershor isha vetë në komisariat ku më kallëzimin dhe nuk u mor asnjë masë.
Vajza kishte shenja kudo nga dhuna. Pas veshit, në pjesën e kokës, shkulje floku dhe sytë shumë të nxirë. Mjekët e kishin përcjellë vetëm me një serum edhe pse e kanë parë gjendjen e saj.
Vajza ishte në kurs parukerie, nga shkolla u largua sepse i binte të fikët në shkollë. Mjekët na thanë se vajza nuk ka asgjë.
Gjendja e saj është pak më e mirë, por ishte shumë keq”, tha ai.
Ngjarja ka ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë e të rinjve, reagimin institucional dhe mënyrën se si trajtohen rastet e dhunës në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



