Qeveria ka anulluar tenderin për dhënien me koncesion të autostradës Milot-Balldrenë. Ndonëse ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku deklaroi gjatë fushatës elektorale se brenda dy ditësh, ministria do të shpallte fituesin e koncesionit, ngjarjet kanë marrë një rrjedhë komplet të kundërt.
Kapitali ka mësuar se një ditë më parë, ministria e Infrastrukturës ka vendosur befasisht anullimin e tenderit, ndërkohë që arsyeja zyrtare e anullimit të garës për koncesionin 1 miliardë euro mbetet ende për t’u mësuar.
Tenderi për dhënien me koncesion të autostradës Milot-Balldrenë u shpall në 19 dhjetor të vitit të kaluar dhe u zhvillua në 10 mars të këtij viti, pasi data e tij u shty disa herë.
Në garë u paraqitën 4 oferta nga kompanitë Gener 2, Salillari, A.N.K dhe 4 A-M.
Por Belinda Balluku ka vendosur anullimin e procedurës duke e kthyer sërish ndërtimin e rrugës në pikën zero.
Rruga
Segmenti Milot Balldrenë është pjesë e të ashtuquajturit Korridori Adriatiko-Jonian ose siç njihet ndryshe Korridori Blu.
Ky segment ka një gjatësi 17 kilometër dhe do të kushtojë 182.5 milionë euro vetëm si kosto ndërtimi.
Nëse përfshihen dhe kostot e projektimit, ato të mirëmbajtjes dhe të operimit, investimi total i privatit është parashikuar 365 milionë euro për të gjithë periudhën 35 vjeçare të koncesionit.
Por sipas planit të biznesit, koncesioni do të gjenerojë 1 miliardë euro të ardhura përgjatë gjithë periudhës 35 vjecare.
Kjo është hera e dytë që qeveria shqiptare tenton të japë me koncesion ndërtimin e autostradës Milot-Balldrene. Hera e parë ishte në vitin 2018, kur qeveria zgjodhi fituese të koncesionit kompaninë A.N.K, por me një tjetër model, atë të Partneritetit Publik Privat, sipas të cilit kompania do të ndërtonte rrugën me paratë e veta dhe do të paguhej për 13 vjet nga buxheti i shtetit deri në shlyerjen e investimit dhe fitimin e saj.
Por A.N.K nuk arriti ta ndërtonte rrugën pasi nuk gjeti paratë për ta financuar atë. Rrjedhimit qeveria e anulloi koncesionin për ta tenderuar sërish, por këtë herë me formulën e tarifës së kalimit për qytetarët, jo përmes shlyerjes nga buxheti. Por edhe tentativa e dytë, dështoi sërish.
Tani mbetet për t’u parë nëse ministria e Infrastrukturës do të shpallë sërish tender për koncesionin e Milot Balldrenë, një rrugë e cila vijon autostradën aktuale nga Kashari në Milot, drejt Shkodrës./Kapitali