Banesa në Mat ‘mbërthehet’ nga uji, evakuohet një familja
Situata në Bashkinë Mat ka rënduar ndjeshëm si pasojë e reshjeve intensive të orëve të fundit. Sipas informacionit nga strukturat vendore, në fshatin Rreth Baz, një banesë është përmbytur, ndërsa familja që banonte aty është evakuuar. Në vendngjarje janë angazhuar zjarrfikësit dhe mjete të tjera për largimin e ujit dhe parandalimin e përkeqësimit të situatës.
Edhe rruga nacionale Burrel–Skuraj paraqet rrezik serioz për qarkullimin, pasi në disa segmente janë regjistruar rënie gurësh, duke vënë në rrezik automjetet që kalojnë. Menjëherë është angazhuar firma kontraktore për pastrimin e rrugës dhe eliminimin e çdo rreziku të shtuar për drejtuesit e mjeteve.
Probleme janë raportuar gjithashtu edhe në Bashkinë Dibër, ku disa njësi administrative janë pa energji elektrike. Mungesa e furnizimit ka prekur njësitë Kala e Dodës, Sllovë, Zall Dardhë, Reç, Lurë dhe një pjesë të njësisë Arras–Fushë Çidhën.
Për arsye sigurie, është stakuar fidri që furnizon këto zona, për shkak të shkarkesave elektrike të shkaktuara nga stuhia. Ekipet e OSHEE-së po monitorojnë situatën dhe punojnë për normalizimin e furnizimit sapo kushtet të jenë të sigurta.
Autoritetet vendore apelojnë tek banorët që të mos lëvizin pa nevojë dhe të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e emergjencës për të shmangur aksidentet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



