Banorët e Patos–Marinzës në protestë kundër Bankers Petroleum
Tensione dhe pakënaqësi janë shfaqur paraditen e sotme në zonën naftëmbajtëse Patos–Marinzë, ku dhjetëra banorë dolën në protestë përpara ambienteve të kompanisë Bankers Petroleum, duke kërkuar shlyerjen e detyrimeve për qiranë e tokave të tyre.
Sipas protestuesve, rreth 800 banorë nga fshatrat Marinëz, Belinë, Sheqishte, Zharrëz, Kallm, Frashër dhe Kuman nuk kanë marrë pagesat e qirasë që nga fillimi i vitit 2026. Tokat e tyre përdoren prej vitesh nga kompania për infrastrukturë ndihmëse si rrugë, parkime, sheshe dhe puse nafte, në kuadër të aktivitetit të saj që daton që prej vitit 2010.
Banorët shprehen se ndryshimet e njëanshme në kontratë janë të papranueshme, duke kundërshtuar kalimin nga marrëveshje vjetore në dyvjeçare, si dhe uljen e çmimit të qirasë nga 400 lekë për metër katror në 200 lekë. Ata kërkojnë respektimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe zbatimin e detyrimeve ligjore nga kompania.
Protestuesit paralajmërojnë se, në rast se kërkesat e tyre nuk merren parasysh, do të përshkallëzojnë reagimin, deri në kërkesën për rikthimin e tokave në gjendjen e mëparshme.
Për banorët e kësaj zone, të ardhurat nga qiraja e tokave përbëjnë një burim jetik, ndaj mosshlyerja e tyre ka ndikuar drejtpërdrejt në mirëqenien ekonomike të familjeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



