Rriten çmimet e karburanteve, ‘shpërthen’ Braçe: Ktheni Bordin e Transparencës
Rritja e fortë e çmimit të karburanteve ka sjellë reagimin e deputetit të Partisë Socialiste, Erion Braçe, i cili kërkon rikthimin e menjëhershëm të Bordit të Transparencës. Sipas tij, shtrenjtimi i naftës në kulmin e sezonit turistik nuk është rastësi, por një veprim i qëllimshëm që rrezikon seriozisht turizmin në vend.
Në një reagim publik, Braçe thekson se gjatë ditës çmimi i naftës ka arritur në 214-216 lekë për litër, ndërsa karburanti premium shitet deri në 230 lekë për litër, duke rënduar ndjeshëm kostot për qytetarët dhe pushuesit.
“Nafta kërceu sot në 214-216 lekë për litër. Nafta tjetër, ajo e mira që nuk ta dëmton makinën, nis me 218 dhe arrin në 230 lekë për litër”, shprehet ai.
Deputeti socialist ngre dyshime të forta mbi momentin e zgjedhur për rritjen e çmimeve, duke theksuar se kjo ka ndodhur pikërisht në prag të fundjavës, kur lëvizja drejt zonave turistike është më intensive.
“Tregtarët e rritën çmimin në nisje të fundjavës, kur ndodh fluksi më i madh i pushuesve të korrikut që kthehen dhe i atyre të gushtit që nisen drejt destinacioneve turistike. E qëllimshme? Ja bën muuuuuuuu!”, deklaron Braçe.
Ai kujton se këtë situatë e kishte paralajmëruar më herët, duke kërkuar rikthimin e Bordit të Transparencës si një mekanizëm kontrolli për tregun e karburanteve.
“Një javë e pak më parë kërkova kthimin në punë të Bordit. E dija që ata që nuk fituan me lopatë gjatë kohës së Bordit, do të bënin çmos të fitonin me kovën e skrepit tani, në pikun e sezonit”, thekson ai.
Sipas Braçes, ndërhyrja përmes Bordit është e domosdoshme për të frenuar abuzimet dhe për të mbrojtur sezonin turistik nga një goditje e mundshme ekonomike.
“Duhet Bordi, që këta të mos i japin një goditje fatale sezonit në kulmin e tij, duke shtrenjtuar e thuajse kufizuar lëvizshmërinë nëpër destinacionet e këtij vendi”, përfundon deputeti.
Rritja e çmimeve të karburanteve vijon të mbetet një nga shqetësimet kryesore për qytetarët dhe bizneset, sidomos në një periudhë kur turizmi përbën një nga shtyllat kryesore të ekonomisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



