Dashnor Kokonozi
Duke i menduar gjërat me gjakftohtësi them se sot ka një enver të cilin do ta pranoja me gjithë qejf.
Është ai enveri prej bronzi aty në krye të rrugës së Durrësit e Kavajës, atë që sot e kujtoj si një lego. Nuk jam bestyt e as animist dhe e di se një ditë nuk do ta shoh duke levizuar nëpër bulevard.
Gjithsesi edhe nëse po, përsëri do të pranoja më mirë atë, për t’ia treguar nipit tim, se sa gozillën e frikshme dhe të shëmtuar që i ka zënë vendin.
Ajo ndjell ankth. Aty tani fillon errësira.
Me t’u afruar mbremja, ai shesh budalla aty përpara, se nuk kam fjalë tjetër, ai shesh që nuk di ç’të bëjë me veten e tij, tashmë i ngjan një terreni të frikshëm ku kusarët ndajnë plaçken e vjedhur.
Nuk ka qenë gjithnjë kështu.
Banoja në krye të rrugës së Dibrës dhe ai enveri i bronzit, sado që e urrente perëndimin kurrë nuk arrinte të m’i zinte rrezet e diellit që vinin andej. Realisht dhe metaforikisht.
Aty mbeti një korridor i lirë nga ku bashkë me disa frekuenca radioje depërtonte edhe drita dhe vetë shpresa që ngjallte Perëndimi. Banorët e atyre anëve i gëzoheshin asaj drite që vinte nga ajo hapësirë lirie.
Ishte një dritë e mirë të cilën komunizmi nuk mundi ta shuajë.
U vranë e masakruan të tjerë për të sjellë Perëndimin dhe ai së fundi erdhi në formën më të shëmtuar, në atë të babëzisë lakmisë dhe korrupsionit të atyre që nuk lëvizën as gishtin për të.
Dhe që sot përfitojnë gjithçka.
Duke ua bërë të urryer të tjerëve qytetin e tyre.
Kurrë nuk kam qenë kundër ndërtesave të larta në Tiranë, por jo aty ku do t’i merrnin frymën, ajrin dhe dritën qytetit tonë. Ata e bënë sepse e keqkuptuan votën që u është dhënë. U ndjenë të plotfuqishëm edhe mbi vetë qytetin dhe natyrën e tij.
Me këtë logjikë korporatiste ata asfiksuan shpresat e gjithkujt për hapësira të verteta lirie në vendim e tyre.
Kjo nuk mund të jetë veç vepër demonës që do të tregohen me gisht e me emër dhe do të vuajnë deri në shtatë breza mallkimin e këtij qyteti që nuk bëri gjë tjetër veçse i priti krahëhapur!
Dhe ata i ngulën thikën.