E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Bashkia Rrogozhinë ‘qeras’ me 1.3 mld lekë biznesmenin demokrat
Lajme

Bashkia Rrogozhinë ‘qeras’ me 1.3 mld lekë biznesmenin demokrat

Ndërsa kryetari i Bashkisë Rrogozhinë, Edison Memolla, ndodhet në burg nën akuzë për korrupsion, administrata e institucionit vijon aktivitetin normal duke zbatuar vendimet dhe procedurat e planifikuara nga drejtimi aktual i bashkisë.

Së fundmi, bashkia ka përfunduar një procedurë tenderimi me vlerë mbi 1.3 miliardë lekë pa TVSH për realizimin e një projekti asfaltimi në territorin e saj. Procedura është zhvilluar si tender i hapur dhe në garë kanë marrë pjesë tetë operatorë ekonomikë.

Megjithatë, në përfundim të procesit, fituese është shpallur kompania BE-IS Shpk, në pronësi të biznesmenit Hamz Islamaj, pasi ofertat e operatorëve të tjerë janë skualifikuar gjatë fazës së vlerësimit.

Kompania BE-IS është e njohur edhe për përfshirjen e saj në sektorin energjetik. Ajo është pjesë e bashkimit të operatorëve që kanë themeluar kompaninë koncesionare Kalisi Hydropower, e cila ka përfituar koncesionin për ndërtimin e dy hidrocentraleve, HEC Veleshica 1 dhe HEC Veleshica 2, në lumin Veleshica, një degë e Drinit të Zi.

Për këtë projekt hidroenergjetik, Prokuroria e Kukësit ka nisur një hetim penal që prej korrikut të vitit 2020, pas dyshimeve për shkelje gjatë zbatimit të kontratës koncesionare. Sipas materialeve të referuara nga policia, kompania koncesionare dyshohet se ka vijuar punimet edhe pas një vendimi gjyqësor që urdhëronte ndërprerjen e tyre.

Në datën 5 dhjetor 2018, Gjykata Administrative e Apelit kishte vendosur pezullimin e kontratës koncesionare dhe ndalimin e punimeve për projektin e hidrocentraleve në zonën e Veleshicës. Vendimi ishte marrë nga një trupë gjyqësore e përbërë nga gjyqtarët Enkelejda Metaliaj, Arjan Qafa dhe Bernina Kondi.

Megjithatë, sipas dokumentacionit të depozituar në organin e akuzës, punimet në këtë zonë dyshohet se kanë vijuar edhe pas vendimit të gjykatës, duke ngritur dyshime për shkelje të vendimeve gjyqësore dhe për ndërtim të paligjshëm.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.