“Nuk i njoh”, kryebashkiaku i Rrogozhinës fut gjithë fisin në punë
Në shumë bashki të vendit, mbjellja e pemëve është kthyer në simbol të përkujdesjes ndaj mjedisit dhe jetës së gjelbër. Por në Rrogozhinë, duket se është rritur një tjetër lloj “peme” – ajo familjare.
Sipas raportimeve, në Bashkinë e Rrogozhinës është krijuar një rrjet punësimesh që lidhet ngushtë me kryetarin Edison Memolla. Familjarë, të afërm dhe miq të ngushtë të tij, sipas burimeve, mbajnë poste kyçe në administratë, duke lënë në hije çdo procedurë konkurrence.
“Thënë shkurt, në Bashkinë Rrogozhinë, në vend të konkursit, mjafton mbiemri dhe miqësia. Por më mirë le t’i listojmë këta personazhe të ‘pemës Memolla’,” – thuhet në raportim.
Në krye të listës është Erinda Memolla, vajza e xhaxhait të kryetarit, e cila është emëruar këshilltare.
“E kush më mirë se ajo do ta këshillonte të parin e qytetit?”, – ironizojnë burimet.
Por sipas punonjësve të bashkisë, ajo “nuk shfaqet asnjëherë në këtë bashki – qoftë edhe për një kafe të shkurtër.”
Ndërkohë, bashkëshorti i saj, Andi Proshka, është caktuar nënkryetar.
“Meqë gruaja këshillon, burri çfarë mund të bëjë? Nënkryetar, mendoi kryetari.”
Lista e të afërmve të emëruar është e gjatë:
Xhulia Kalemi, kushërira e kryetarit – përgjegjëse për protokollin;
Renato Kalemi, vëllai i saj – punonjës i shërbimeve (“as ai nuk paraqitet kurrë në punë”);
Mariglen Memolla, djali i xhaxhait – magazinier në Drejtorinë e Shërbimeve;
Gëzim Memolla, kushëri i dytë – skrepist;
Orges Tosku, kunati i xhaxhait – drejtor i Arsimit, Sportit dhe Kulturës;
Rezart Vogli, kushëri – drejtor i Financës;
Raimonda Vogli, bashkëshortja e Rezartit – përgjegjëse në qendrën kulturore të bashkisë;
Blerina Methasani Memolla, bashkëshortja e djalit të xhaxhait – përgjegjëse e financës;
Fadil Haliti, djali i hallës – shofer.
Në këtë listë përfshihet edhe rasti i Harun Murranit, një pensionist i punësuar si “specialist i shërbimit social”, por që sipas raportimeve “në realitet është në treg duke shitur fruta e perime.”
Reagimi i kryetarit
Kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla, i ka mohuar akuzat, duke deklaruar:
“Nuk ishte e vërtetë që i kishte të afërm.”
Megjithatë, sipas emisionit “Piranjat”, emërimet janë bërë si “qoka të kryetarit”, ku në rastin më të mirë “konkurset janë fiktive”, ndërsa në të tjerë “mungon çdo vlerësim mbi aftësitë individuale të stafit të ngushtë të Memollës.”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



