Bashkim Ulaj merret i pandehur, shembet skema e koncesioneve
SPAK godet oligarkinë
Marrja e biznesmenit Bashkim Ulaj si i pandehur nga SPAK nuk është paralajmërim dhe as spekulim mediatik, por një zhvillim i konfirmuar që shënon përplasjen më serioze deri më tani mes drejtësisë dhe oligarkisë ndërtimore në Shqipëri.
Kontrollet e kryera nga Policia e Shtetit, me urdhër të SPAK dhe vendim të GJKKO-së, përfaqësojnë vetëm fazën e parë të një dosjeje që po trondit themelet e pushtetit ekonomik dhe politik në vend.
Për herë të parë pas vitesh, hetimi nuk ndalet te hallkat periferike apo te fasadat, por shkon drejt qendrës së skemës. Drejtësia po afrohet te emrat që kanë përfituar realisht nga modeli i ndërtuar mbi koncesione të fryra, tenderë të garantuar dhe kontrata që nuk kanë shërbyer për zhvillimin e vendit, por për pasurimin e pakufizuar privat.
Prej vitesh, emri i Bashkim Ulajt është lidhur ngushtë me këtë model. Një sistem ku politikanët firmosin, oligarkët pasurohen dhe kostoja përfundon mbi qytetarët. Ky mekanizëm ka rrënuar financat publike dhe ka deformuar konkurrencën, duke e kthyer shtetin në instrument shërbimi për interesa private.
Aksi Thumanë–Kashar përfaqëson simbolin më ekstrem të kësaj skeme. Nga një projekt me vlerë fillestare rreth 245 milionë euro, kontrata u shndërrua në një angazhim prej 1.307 miliardë eurosh për 35 vite, mbi një rrugë që ekzistonte. Tarifa të ndaluara u legalizuan, afatet u shtynë në mënyrë skandaloze dhe fitimi u garantua pa risk. Shqipëria do ta paguajë këtë rrugë disa herë, ndërsa përfituesi numëron miliardat. Kjo nuk është thjesht paaftësi administrative, por një skemë e ndërtuar me vetëdije.
Dosje të tjera, si skandali “DH Albania”, përdorimi i kompanive fantazmë, dokumentet e dyshuara si të falsifikuara dhe tenderët e fituar përmes mashtrimit, tregojnë se ky sistem ka funksionuar për vite me radhë si një linjë prodhimi për grabitjen e parasë publike. Kompania 4 A-M, e lidhur me Ulajn, ka përfituar qindra milionë euro, ndërsa institucionet kanë heshtur, kanë firmosur ose kanë mbyllur sytë. Një realitet që nuk mund të ekzistojë pa mbrojtje politike.
Pikërisht për këtë arsye, marrja e Bashkim Ulajt si i pandehur përbën një kërcënim direkt për gjithë arkitekturën e koncesioneve të ndërtuara gjatë qeverisjes Rama. Çdo hap i mëtejshëm në këtë dosje çon te ministrat, te vendimet e Këshillit të Ministrave dhe te firmat që e kanë shndërruar shtetin në bankomat për oligarkët. Kjo shpjegon vonesat, presionet dhe heshtjen që e kanë shoqëruar këtë hetim.
Tashmë, alibitë kanë mbaruar. SPAK ka hyrë në territorin e ndaluar dhe përgjegjësia është e qartë: hetimi duhet të shkojë deri në fund. Çdo tërheqje do të ishte tradhti ndaj interesit publik, ndërsa çdo selektivitet do të nënkuptonte bashkëfajësi.
Ndërkohë, Shqipëria vazhdon të paguajë çmimin e këtij modeli: për rrugë që nuk i duheshin, për kontrata që nuk i kërkoi, për oligarkë pa kufij dhe për një shtet që për vite me radhë është përdorur si plaçkë private.
Me marrjen e Bashkim Ulajt si i pandehur, maska bie. Pyetja që mbetet është vetëm një:
a do ta çmontojë SPAK të gjithë mekanizmin e grabitjes, apo do të ndalet sërish përballë pushtetit?
Sepse kjo dosje nuk ka të bëjë me një emër të vetëm.
Ka të bëjë me çlirimin e shtetit nga oligarkia.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



