Bashkim Ulaj në rrjetën e çështjes Balluku, skema 6 milionë €
Paratë drejt Zvicrës?
Dyshime të rënda po ngrihen ndaj biznesmenit Bashkim Ulaj, përfitues i kontratave publike me vlera marramendëse, i cili dyshohet se luan një rol kyç në një skemë financiare nën hetim, që përfshin rreth 6 milionë euro, shifër e lidhur drejtpërdrejt me zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Sipas raportimeve në media, Ulaj dyshohet se ka kontaktuar një fond investimi në Zvicër, duke paraqitur shumën si kapital për investim, ndërkohë që hetuesit kanë dyshime serioze se paratë burojnë nga kontrata publike të financuara me para të taksapaguesve shqiptarë. Transferimi i fondeve mendohet të jetë realizuar përmes një rrjeti kompanish ndërmjetëse, duke shtuar dyshimet për një mekanizëm të mirëorganizuar të fshehjes së origjinës së parave.
Në qendër të hetimit ndodhet edhe aksit rrugor Thumanë–Kashar, një nga kontratat më të diskutuara koncesionare në vend, me një afat 35-vjeçar dhe përfitime të parashikuara që arrijnë në rreth 1.3 miliardë euro për operatorin privat. Ky projekt shihet nga hetuesit si një nga burimet kryesore të fondeve që mund të jenë kanalizuar jashtë vendit.
Mësohet se po verifikohet nëse fondi i investimit në Zvicër është përdorur si instrument për pastrim parash, përmes kompanive guackë, kontratave konsulence fiktive dhe faturimeve të fabrikuara, skema të njohura për të maskuar lëvizjen e kapitaleve dhe për të fshehur destinacionin final të tyre.
Hetimi shtrihet edhe mbi procedurat e tenderimit, ku dyshohet se Bashkim Ulaj ka përfituar falë lidhjeve të privilegjuara me institucione shtetërore dhe zyrtarë të lartë, përfshirë edhe Belinda Ballukun. Çdo dokument, komunikim dhe transaksion financiar po analizohet për të provuar nëse ekziston një zinxhir i drejtpërdrejtë mes kontratave publike dhe transferimeve ndërkombëtare të parave.
Deri më tani, nuk ka asnjë reagim zyrtar nga personat e përfshirë apo institucionet përgjegjëse. Kjo heshtje, sipas burimeve, jo vetëm që nuk qetëson opinionin publik, por përkundrazi, thellon dyshimet mbi ndërthurjen e rrezikshme mes biznesit dhe politikës në majat e pushtetit.
Nëse këto dyshime konfirmohen, hetimi mund të zbulojë një skemë të strukturuar abuzimi, ku kontratat publike dhe instrumentet financiare ndërkombëtare përdoren për përfitime personale dhe fshehje fondesh, duke hapur një kapitull të errët të marrëdhënieve mes pushtetit politik dhe oligarkisë ekonomike në Shqipëri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



