E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Basti i fortë i Spahiut: Në janar 2027 sjell Pet Scan-in ose jap dorëheqjen
Lajme

Basti i fortë i Spahiut: Në janar 2027 sjell Pet Scan-in ose jap dorëheqjen

Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka bërë një deklaratë të fortë në Kuvend, duke vendosur edhe postin e saj në pikëpyetje nëse PET Scan-i nuk mbërrin në Onkologjik deri në janar 2027.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, ka deklaruar në Kuvend se aparatura PET Scan pritet të vihet në funksion në shërbim të pacientëve onkologjikë në janar të vitit 2027.

Spahiu, e cila ka marrë zyrtarisht detyrën e ministres vetëm pak ditë më parë, shkoi edhe më tej në deklaratën e saj, duke u shprehur se nëse premtimi nuk realizohet, ajo do të largohet nga detyra. Spahiu është betuar si ministre më 11 shtator 2026, pas miratimit të emërimit të saj në Kuvend.

Gjatë fjalës së saj, ministrja vendosi një afat konkret për realizimin e projektit.

“Në janar nis Instituti i Onkologjisë. Në janar 2027 ose e sjell atë PET Scan-in, ose jap dorëheqjen, ja ku po jua them këtu!”, deklaroi Spahiu.

PET/CT është një teknologji diagnostikuese e rëndësishme në trajtimin dhe ndjekjen e pacientëve me sëmundje tumorale. Sipas informacioneve të bëra publike së fundmi, projekti për PET/CT në QSUT është duke avancuar në bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, ndërsa procesi vijon në nivel institucional dhe teknik.

Në fjalën e saj në Kuvend, Spahiu foli edhe për mënyrën e organizimit të trajtimit të rasteve onkologjike. Ajo tha se synimi është që çdo rast të shqyrtohet nga një ekip multidisiplinar, duke e paraqitur këtë si një standard që duhet të zbatohet në praktikën e përditshme.

“Në praktikë çdo rast onkologjik shqyrtohet nga një grup multidisiplinar. Kjo do të jetë normë. Nuk kam bërë asgjë të re, o shokë, më besoni, vetëm kam vënë hallkat të lëvizin më shpejt”, u shpreh ministrja.

Spahiu kërkoi gjithashtu bashkëpunimin për evidentimin e rasteve kur protokollet nuk zbatohen, duke theksuar se qytetarët duhet të njoftojnë për problematikat që hasin në sistemin shëndetësor.

“Është vendimi i ish-ministres. Kjo gjë do të funksionojë, kërkoj ndihmën tuaj për çdo rast që identifikoni që nuk bëhet sipas protokollit, të na ndihmoni”, tha ajo.

Me deklaratën e saj, ministrja ka lidhur publikisht realizimin e projektit PET Scan me një afat të përcaktuar kohor dhe me vazhdimin e saj në detyrë, duke e kthyer janarin e vitit 2027 në pikën e parë të rëndësishme për të matur nëse ky premtim do të konkretizohet.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.