Belgjika njeh shtetin palestinez, kryeministri De Vives: Mbështesim të drejtën ndërkombëtare
Pas Francës dhe Britanisë, edhe Belgjika ka shpallur zyrtarisht njohjen e shtetit palestinez. Kryeministri belg, Bart de Vives, gjatë një konference të mbajtur në Nju Jork të hënën, deklaroi se vendimi vjen në mbështetje të së drejtës ndërkombëtare dhe parimit të vetëvendosjes.
“Përmes kësaj iniciative, ne vazhdojmë të mbështesim të drejtën ndërkombëtare, në veçanti të drejtën e popujve për vetëvendosje”, u shpreh De Vives, duke theksuar se zgjidhja me dy shtete “nuk ka vdekur”, por gjendet në një moment delikat.
Njohja nga Belgjika u bë gjatë konferencës së thirrur nga Franca dhe Arabia Saudite, që synon të promovojë zgjidhjen me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.
Një ditë më parë, presidenti francez Emmanuel Macron shpalli njohjen historike të shtetit palestinez, duke e cilësuar këtë si “zgjidhjen e vetme që do t’i lejojë Izraelit të jetojë në paqe”. Macron theksoi gjithashtu se njohja është “një humbje për Hamasin” dhe paralajmëroi për krizën e rëndë humanitare të shkaktuar nga operacionet ushtarake të Izraelit në Gaza.
Sipas të dhënave të OKB-së, tashmë 155 vende nga 193 anëtare të organizatës kanë njohur zyrtarisht shtetin palestinez. Në listën e vendeve që pritet të ndërmarrin të njëjtin hap përfshihen Luksemburgu, Andorra, San Marino dhe Malta.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



