S’ka lirim për Sokol Hoxhën, gjykata i cakton “arrest me burg”
Sokol Hoxha, i ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u përballur me akuzat për dy vrasje në Patos, rezulton të jetë subjekt i një tjetër mase sigurie. Ndryshe nga raportimet se ai kishte lënë qelinë, dokumentacioni gjyqësor i referuar në këtë rast tregon se ndaj tij është caktuar masa “arrest në burg” për llogari të autoriteteve të drejtësisë belge.
Sipas të dhënave të vendimit, masa është caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, me vendimin nr. 62-2026-2028-(1583), datë 8 tetor 2026.
Dokumenti përcakton masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg” për shtetasin Sokol Hoxha, i biri i Kadriut dhe Refijes, i datëlindjes 17 maj 1975, në kuadër të kërkesës së autoriteteve belge.
Për zbatimin e vendimit, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka nxjerrë edhe urdhrin e ekzekutimit, përmes shkresës nr. 4114 Prot. (M.S), datë 8 tetor 2026.
Pas pranimit të kërkesës për parashkrimin e dënimit 25-vjeçar për vrasjen e dy vëllezërve në Patos, masa e vendosur për llogari të drejtësisë belge nënkupton se vendimi për shuarjen e dënimit shqiptar nuk sjell automatikisht lirimin e tij.
Dosja belge dhe dënimi për një tjetër vrasje
Sipas raportimeve mediatike, autoritetet belge e kërkojnë Hoxhën për ekzekutimin e dënimit me burgim të përjetshëm për vrasjen e Brunilda Dervishit, ngjarje e ndodhur në vitin 1997.
Kështu, edhe pse gjykata shqiptare ka vendosur shuarjen e dënimit prej 25 vitesh për vrasjen e dy vëllezërve në Patos, procedurat që lidhen me drejtësinë belge përbëjnë një çështje tjetër ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



