Berisha akuzon qeverinë për abuzime, dhunë dhe kapje të drejtësisë
Deklaratat e forta
“Gerond Meçe dhe Daniel Shima u rrëmbyen nga familja më mafioze në Ballkan”
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si drejtuesin e një strukture kriminale dhe familjen e tij si një nga më të implikuarat në skandale të rënda në rajon. Sipas Berishës, aferat e zbuluara së fundmi rreth AKSHI-t janë vetëm maja e ajsbergut të një skeme të gjerë që përfshin vjedhje të fondeve publike, manipulime tenderash dhe metoda kriminale për eliminimin apo frikësimin e personave që dinë shumë.
Në deklarimet e tij, Berisha solli në vëmendje edhe rastin e Daniel Shimës, duke e lidhur atë me një zinxhir ngjarjesh të rënda që, sipas tij, janë mbajtur të fshehura nga drejtësia shqiptare. Ai theksoi se Shima u rrëmbye dhe u dhunua barbarisht vetëm një javë pas biznesmenit Gerond Meçe, duke ngritur dyshime serioze për një skenar të organizuar dhe të qëllimshëm.
Sipas ish-kryeministrit, Gerond Meçe arriti t’i shpëtojë fatit tragjik duke iu dorëzuar autoriteteve gjermane, të cilat, siç u shpreh ai, vepruan sipas ligjit. Ndërsa në Shqipëri, dosja e tij përfundoi në Prokurorinë e Tiranës, ku – pavarësisht provave për rrëmbim dhe dhunë të rëndë – u vendos të mos hapet hetim. Berisha akuzoi drejtpërdrejt institucionet se kanë mbyllur sytë përballë një krimi makabër, duke e fshirë praktikisht nga çdo dokument zyrtar një person që, sipas tij, “dinte gjithçka”.
Ai theksoi se Daniel Shima, në cilësinë e ish-zv.drejtorit të AKSHI-t, kishte njohuri të detajuara për abuzimet dhe vjedhjet që, sipas Berishës, lidhen drejtpërdrejt me rrethin familjar të kryeministrit. Pikërisht kjo, shtoi ai, e bëri Shimën një objektiv për t’u eliminuar.
Në fund të fjalës së tij, Berisha përdori një gjuhë tepër të ashpër ndaj Ramës dhe njerëzve të lidhur me të, duke e përshkruar situatën si të paprecedentë në historinë e vendit.
“Sot e tutje Edi Ramën ta thërrasim me gjuhën dhe zhargonin e koordinatorit të tij, Ergys Agasit. Edhe kur rrihte me grushta Ulsi Manjën, thoshte se e bënte me urdhër të kapos. Këta janë një bandë që kjo tokë nuk e ka parë kurrë. Duke ardhur këtu tek ju, po lexoja fatin e pengut të dytë të Ergys Agasit dhe ndërmarrjes së Edi Ramës e baxhanakut të tij, Daniel Shimës. E rrëmbyen një javë pas Gerond Meçes. Kam ngritur zërin disa herë për këtë njeri, që e mbajtën në bodrumet e Suel Çelës, i thyen kockat dhe e sollën të vdekur në shtëpi. Ai dinte gjithçka, më shumë se Gerondi. Ishte zv.drejtor i AKSHI-it dhe kishte memorizuar vjedhjen e familjes më mafioze të Ballkanit, familjes Rama,” u shpreh Berisha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



