Berisha: Nuk ka asnjë element të Antifa-s në protestë, Ramës po i vjen dita e llogarisë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së, duke kundërshtuar pretendimet e tij për praninë e elementëve të “Antifa-s” në protestat që po zhvillohen në Tiranë.
Berisha deklaroi se protestat nuk kanë asnjë lidhje me këtë lëvizje, ndërsa akuzoi kreun e qeverisë se po përpiqet të krijojë një argument për të delegjitimuar revoltën qytetare.
“Ky sillet si një padrino. Ky bën çdo gjë për të krijuar një mburojë dhe për ta paraqitur protestën si një Antifa, po s’ka asnjë element, zero”, u shpreh Berisha.
Kreu i opozitës e lidhi pjesëmarrjen e të rinjve në protesta edhe me pasojat që, sipas tij, ka sjellë politika e qeverisë mbi familjet shqiptare dhe emigracionin. Ai përmendi studentë që janë rritur pa njërin prej prindërve, duke pretenduar se largimi i shqiptarëve nga vendi është nxitur nga politikat e ndjekura nga Rama.
Berisha: Ramën e ka kapur frika nga dita e llogarisë
Gjatë deklaratës së tij, Berisha pretendoi se kryeministri po përballet me frikën e humbjes së kontrollit politik dhe se reagimet e tij ndaj protestave po bëhen gjithnjë e më të ashpra.
“Frikë e madhe se dita e llogarisë po vjen, ka humbur logjikë, arsye dhe është lëshuar në kërcënime bajate, vulgare që faktojnë të gjithë psikologjinë e tij, genet e tij prej gjelatësh dhe vazhdon kërcënime nga më të ndryshme ndaj protestuesve”, deklaroi kreu i PD-së.
Berisha kritikoi edhe ndryshimin e qëndrimit të kryeministrit ndaj protestuesve, duke iu referuar ftesës për dialog dhe deklaratave të mëvonshme të Ramës. Sipas tij, qeveria po përpiqet të ushtrojë presion mbi qytetarët përmes paralajmërimeve dhe mesazheve kërcënuese.
“Në mëngjes i fton për dialog, pasi ia kthejnë përmbys, del tani me fjalim tjetër. Mendon se fuqia monetare e bankave mund ta kthejë kundër protestës”, u shpreh Berisha.
Akuza për listë të zezë dhe bllokim pasaportash
Një tjetër pikë e kritikës së kreut të opozitës lidhej me paralajmërimet që ai ia atribuoi kryeministrit për përfshirjen e protestuesve në lista të zeza dhe bllokimin e pasaportave.
“Sot, ai kërcënoi protestuesit për listë të zezë, për bllokim pasaportash. I nxjerr të gjitha nga arkivat e etërve të tij”, deklaroi Berisha.
Ai kundërshtoi gjithashtu argumentet për dëmet e shkaktuara gjatë protestave, duke e zhvendosur kritikën te pasuria dhe pronat që, sipas tij, lidhen me kryeministrin.
“Shikoni se çfarë hipokrizie, çfarë pretendon ky. Ky njeri flet për dëme, ndërkohë që ka ndërtuar me paratë e baballarëve të këtyre që postojnë sarajet. Ka rrethuar sarajet e tij me një park që nuk i ka as pallati mbretëror”, u shpreh kreu i PD-së.
Deklaratat e Berishës vijnë në një klimë të tensionuar politike, ku protestat e studentëve dhe qytetarëve, reagimi i policisë dhe qëndrimet e qeverisë kanë nxitur përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



