E diel, 25 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Si dështoi plani i ANTIFA-s për djegien e Inceneratorit të Tiranës
Lajme

Si dështoi plani i ANTIFA-s për djegien e Inceneratorit të Tiranës

Publikuar nga Ergis Noka

Organizata e rrezikshme ndërkombëtare ANTIFA, e cila, sipas kryeministrit Edi Rama, ka marrë përsipër të destabilizojë Shqipërinë, hartoi një plan djallëzor. Pas disa mbledhjeve të fshehta, shtabi i saj vendos t’i japë një goditje të rëndë ekonomisë shqiptare: të djegë inceneratorin e Tiranës.

Operacioni u  përgatit me kujdes të jashtëzakonshëm. Nga jashtë erdhën dy specialistë të sabotimeve industriale, të cilët kanë përvojë në shkatërrimin e fabrikave, rafinerive dhe objekteve strategjike. Sigurohen mjetet e nevojshme, studiohen rrugët e hyrjes dhe të daljes dhe caktohet ora e sulmit. Gjithçka është gati, përveç një hollësie të vogël: askush nuk e di vendndodhjen e saktë të inceneratorit.

Sipas dokumenteve, objekti ndodhet në Sharrë. Specialistët kërkojnë fotografi, planimetri dhe të dhëna teknike. U vihen në dispozicion kontrata koncesionare, fatura dhe dokumente pagesash. Dokumentacioni financiar është i pasur, por adresa e sakte nuk gjendej. Sabotatorët e ANTIFA-s u habiten me cilësinë shqiptare të maskimit..

Megjithatë, operacioni filloi.

Në mesnatë, grupi mbërriti në Sharrë. Agjentët kontrollojnë territorin, krahasojnë hartat dhe kërkojnë oxhakun e madh të inceneratorit. Nuk gjejnë as oxhak, as furrë, as ndërtesën që kanë ardhur të hedhin në erë. Pas disa orësh kërkimesh, njoftojnë shtabin qendror se operacioni është i pamundur për t’u realizuar.

Në fillim dyshohet për masa të jashtëzakonshme sigurie. Më pas shqyrtohet mundësia që objekti të jetë zhvendosur në një vend sekret. Por informacionet e mbledhura tregojnë diçka edhe më shqetësuese: inceneratori është zhdukur pa lënë gjurmë.

Specialistët ndërkombëtarë mbeten të habitur. Ata kanë studiuar teknikat më moderne të sabotimit, por nuk njohin ndonjë metodë për asgjësimin e një objekti industrial pa shpërthim, pa zjarr dhe pa mbeturina. Për më tepër, objekti vazhdon të figurojë në dokumente financiare, me kontrata, pagesa dhe bilance.

Shtabi i ANTIFA-s arrin në përfundimin se një organizatë rivale ka vepruar përpara tyre. Bëhet fjalë për profesionistë të një niveli të jashtëzakonshëm, të cilët arrijnë të eliminojnë objektiva strategjikë pa përdorur asnjë gram eksploziv.

Për të shpëtuar nderin e organizatës, komandanti urdhëron një operacion të dytë. Këtë herë objektiv caktohet Stacioni i Trenit të Tiranës. Agjentët marrin udhëzime të hollësishme, pajisen me mjetet e nevojshme dhe nisen drejt kryeqytetit shqiptar.

Por edhe ky operacion përfundon në mënyrë të turpshme. Në vendin ku duhet të ndodhej stacioni, specialistët nuk gjejnë as ndërtesën, as shinat dhe as trenat. Nga Tirana mbërrin një telegram i shkurtër: Objektivi është asgjësuar përpara mbërritjes sonë. Nuk konstatohen gjurmë shpërthimi.

Në shtabin ndërkombëtar shpërthen paniku. Dy objektiva strategjikë janë zhdukur përpara se ANTIFA të arrijë t’i sulmojë. Drejtoria e kundërzbulimit ngre dyshimin se në Shqipëri vepron një organizatë rivale me aftësi shumë më të mëdha operative dhe me një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh.

Nis një hetim i fshehtë për identifikimin e saj. Rezultatet janë tronditëse.

Sipas raporteve që mbërrijnë nga Tirana, organizata misterioze nuk kufizohet vetëm në zhdukjen e inceneratorëve dhe stacioneve hekurudhore. Ajo dyshohet se ka asgjësuar edhe tunele, ura, korsi të tëra rrugore, shtresa betoni dhe asfalti, kanale kulluese dhe objekte të tjera të rëndësishme infrastrukturore.

Agjentët e ANTIFA-s zbulojnë se kjo organizatë përdor një teknikë revolucionare. Objektet zhduken pa zhurmë, pa tym, pa eksploziv dhe pa shkaktuar shqetësimin më të vogël te popullsia. Madje, shumë qytetarë nuk e marrin vesh fare që në zonën e tyre është zhvilluar një operacion i tillë.

Por zbulimi më i madh lidhet me financimin e veprimtarisë së saj. Ndryshe nga ANTIFA, e cila harxhon shuma të mëdha për të organizuar sabotime, organizata rivale arrin të sigurojë të ardhura të konsiderueshme nga çdo objekt që zhduk. Për tunelet, urat, korsitë rrugore dhe shtresat e betonit gjenden dokumente, fatura dhe pagesa të rregullta.

Ky informacion shkaktoi një krizë të rëndë në shtabin ndërkombëtar te ANTIFA-s. Ekspertët e sabotimeve pranuan se metodat e tyre janë të vjetruara. Deri tani ata kanë besuar se për të shkatërruar një objekt duhet më parë ta gjesh, të depërtosh brenda tij dhe të përdorësh mjete shkatërruese. Përvoja shqiptare provon se këto procedura janë krejtësisht të panevojshme.

Pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme, shtabi vendos të pezullojë të gjitha operacionet e ANTIFA-s në Shqipëri dhe të përqendrojë veprimtarinë e shërbimit sekret në zbulimin e organizatës rivale.

Në raportin përfundimtar, komandanti shkruan:

Organizata rivale ka arritur rezultate që ne nuk mund t’i ëndërrojmë. Ajo zhduk objekte të mëdha industriale, tunele, ura, stacione hekurudhore dhe rrugë pa lënë asnjë gjurmë. Për më tepër, çdo operacion i saj shoqërohet me përfitime të konsiderueshme financiare.

Në fund të raportit shton edhe një propozim që miratohet njëzëri nga të gjithë anëtarët e shtabit:

Të ndërpritet konkurrenca me organizatën rivale dhe të nisin negociatat për bashkimin e dy organizatave. ANTIFA ka shumë për të mësuar prej saj. Ne shpenzojmë miliona për të shkatërruar objekte. Ata fitojnë miliona duke i zhdukur.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.