Berisha ‘plas’ në Strasburg çështjen Balluku: Rama po pengon arrestimin!
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar në rrjetet sociale fragmente nga fjala e mbajtur në Strasburg, ku ngriti shqetësime lidhur me çështjen e zv/kryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin.
Gjatë fjalës së tij, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po pengon vijimin e procedurave ligjore, duke pretenduar se kjo ndodh për shkak të përfshirjes së emrit të tij në dosjen hetimore që lidhet me Ballukun. Sipas Berishës, kryeministri është i frikësuar nga zhvillimet e hetimit dhe po ndërhyn për të bllokuar veprimet e Prokurorisë së Posaçme.
Ai u ndal gjithashtu edhe te skandali i AKSHI-t, për të cilin deklaroi se përbën një rrezik serioz për sigurinë e të dhënave shtetërore. Berisha pretendoi se informacionet e ndjeshme po përfundojnë në duart e grupeve kriminale.
“Prokuroria e Posaçme ka kërkuar arrestimin dhe heqjen e imunitetit të zv/kryeministres, por kjo iniciativë është bllokuar nga kryeministri Edi Rama. Arsyeja është e qartë: emri i tij del vazhdimisht në dosje. E njëjta situatë po ndodh edhe me AKSHI-n, ku të dhënat shtetërore, sipas tij, po eksportohen dhe po përfundojnë te bandat kriminale”, u shpreh Berisha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



