E martë, 3 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Berisha tenton sërish të “gllabërojë” protestën e studentëve
Lajme

Berisha tenton sërish të “gllabërojë” protestën e studentëve

Kreu i PD-së sërish thirrje për t’u bashkuar të shtunën në revoltë

Përplasja mes protestës studentore dhe përpjekjeve të opozitës për t’iu bashkuar asaj vijon të jetë në qendër të zhvillimeve politike. Edhe pse deputetët e Partisë Demokratike nuk u mirëpritën nga studentët gjatë tubimit të së shtunës së kaluar, Sali Berisha nuk ka ndryshuar qëndrim dhe u ka bërë sërish thirrje qytetarëve që të dalin në protestë.

Gjatë një konference për mediat, kreu i PD-së komentoi lëvizjen studentore dhe paralajmëroi se e shtuna e ardhshme duhet të shërbejë si një tjetër moment mobilizimi kundër qeverisë.

Një javë më parë, deputetët demokratë u nisën nga Kryeministria në drejtim të Ministrisë së Arsimit, me synimin për t’iu bashkuar protestuesve. Por prania e tyre nuk u pranua nga studentët, të cilët i larguan dhe bënë të qartë se nuk dëshironin që protesta e tyre të identifikohej me partitë politike.

Mesazhi i të rinjve ishte se pakënaqësia e tyre nuk drejtohet vetëm ndaj qeverisë, por edhe ndaj opozitës. Thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg” shoqëruan protestën, ndërsa qytetarë dhe studentë akuzuan politikën për tradhti ndaj kauzës së tyre.

Megjithatë, Berisha vijon të këmbëngulë që opozita dhe qytetarët të dalin në krah të protestuesve. Në deklaratën e tij, ai e përshkroi revoltën si një përballje të drejtpërdrejtë të rinisë me atë që e cilësoi si narkoshtet dhe narkoregjim të drejtuar nga Edi Rama.

“Revolta studentore përbën përballjen më të ashpër dhe më të suksesshme të rinisë shqiptare me narkoshtetin, narkoregjimin, padrionon Edi Rama. Rrugë dhe sheshet e Tiranës janë dëshmitarë të akteve të trimërisë e guximit më të madh por edhe të barbarive e qëndrimeve shtazarake e narkobanditëve të Ramës që mbrojnë një kufomë politike në grahmat e fundit. E shtuna është dita që fton çdo shqiptarë që rreshtohet përkrah tyre…përkrah trimave, guximtarëve që po bëjnë atë që duhet ta bëjë çdo shqiptar. Studentë gjimnazistë kanë fituar simpati”, deklaroi Berisha.

Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të kreut demokrat, mbetet për t’u parë nëse studentët do të pranojnë këtë herë praninë e përfaqësuesve të opozitës apo do të vijojnë të mbajnë protestën larg ndikimit të partive politike.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.