Ylli Pango
Njerëzit besojnë më shumë atë që ju a japin fuqishëm. Njerëzit besojnë më shumë të fuqishmit. Besojnë më shumë tek partitë e mëdha, mediat e mëdha, njerëzit influentë. ….Pastaj besojnë më shumë atë që duan të besojnë, që priren ta besojnë , që ju pëlqen ta besojnë, që ju leverdis ta besojnë. Shpesh sipas preferencave, interesave, urrejtjeve, simpative apo antipative personale a grupore. Por edhe sipas bindjeve, tifozllëqeve, anëmbajtjeve, tashmë të formuara. Tani përfytyroni sa vështirë është t’i bësh njerëzit të besojnë. Atë që do t’i bësh të besojnë, edhe nëse kjo është e vërtetë. Sidomos kur ti s’je vecse një individ a një grup i vogël pa peshë në shoqëri. Sidomos kur ka dhe shumë të tjerë që duan ta bëjnë këtë e ta bindin ndryshe. Sidomos kur ai që duhet të bindet ka qenë e është nën trysni ideologjie e media- partie me dekada e sidomos kur është i parealizuar, i vuajtur, i trembur…. …Të bësh të besojnë njerëzit… një shkencë e tërë, për të bërë këtë është krijuar, krijohet cdo ditë, përpiqet, ka punuar e punon një makineri e histori e tërë, një industri e ideologji e tërë, parti e media të tëra. E gjithë bota ndahet në bindës e të bindur. Derisa ai që duam të bindim, të bindet për dicka. Pastaj atij i krijohet bindja “që hajde t’ja shkulësh”, por që ndonjëherë, rrallë, kur je shumë bindës, edhe mund t’ja shkulësh.
….Një kushërira ime në moshë të thyer, dikur aty nga fillimi i viteve 90, më ngulte këmbë, e ishte e bindur… po aq e bindur për dicka…sa nuk jua them dot. ” Më beso, të jesh i bindur, nuk e diskutoj, është absolute,..e lexova vetë në gazetë…” “Në cilën gazetë..?” “Nuk e di, nuk më kujtohet, po ishte në gazetë…“ E mahnitshme. Kishte me dhjetra gazeta në treg, një e Kocos, një e Maqos, një e Taqos,…letër e shtypur, me gërma, me pika, me presje, me…nën kontrollin e Maqos, Taqos, Kocos,…Por c’prestigj…“Pse gënjen gazeta“ më tha? Vinim nga vitet e partisë…C’gatuante partia, hante populli. Po sot?