Beteja virtuale, Berisha i përgjigjet ‘Pasqyrës’ së Ramës me Agorën
Pas platformës “Pasqyrë Albania” të kryeministrit Edi Rama, edhe Partia Demokratike po përgatitet të lançojë një platformë të re për komunikimin me qytetarët dhe strukturat e saj.
Sali Berisha ka thirrur mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, e cila do të zhvillohet të enjten, më 27 gusht, ku pritet të prezantohet “Agora PD”.
Sipas dokumentit të strategjisë së re, të siguruar nga Report TV, platforma synon të shërbejë si një sistem i përbashkët për komunikimin, organizimin dhe koordinimin e Partisë Demokratike.
“Platforma do të shërbejë si sistemi operacional i Partisë Demokratike. Ajo do të lidhë komunikimin, organizimin, koordinimin dhe angazhimin qytetar në një mjedis të vetëm modern.”
Mesazhe të unifikuara dhe monitorim i rrjeteve sociale
Përmes “Agora PD”, demokratët synojnë të krijojnë një komunikim më të koordinuar nga qendra drejt degëve.
Platforma do të ofrojë çdo ditë mesazhe politike, pika kryesore të diskutimeve, rekomandime për komunikimin publik, materiale zyrtare dhe udhëzime për strukturat e partisë.
Një tjetër element është monitorimi i rrjeteve sociale dhe mediave, për të identifikuar shqetësimet që qytetarët shprehin dhe për t’i përfshirë ato në axhendën politike të PD-së.
Strategjia parashikon gjithashtu evidentimin e kontributit të anëtarëve dhe funksionarëve të partisë.
“Çdo kontribut organizativ dhe publik do të evidentohet në mënyrë të strukturuar. Platforma krijon një kulturë ku angazhimi dhe puna marrin vlerësimin që meritojnë.”
Megjithatë, dokumenti nuk përcakton qartë mënyrën se si do të matet ky kontribut.
Gara për qytetarët dhe zgjedhjet vendore
“Agora PD” vjen në një moment kur të dyja partitë kryesore kanë nisur të ndërtojnë mënyra të reja komunikimi me qytetarët.
Pak ditë më parë, Edi Rama prezantoi “Pasqyrë Albania”, ndërsa tani PD po sjell “Agorën”, me synimin për të forcuar lidhjen me bazën dhe për të organizuar më mirë strukturat në territor.
Nisma e demokratëve pritet të ketë edhe një funksion elektoral, pasi zgjedhjet vendore të vitit 2027 janë më pak se një vit larg.
Lëvizjet e dy forcave kryesore politike vijnë në një klimë të tensionuar politike, ndërsa prej rreth tre muajsh vijojnë protestat në Tiranë me kërkesën për largimin e klasës së vjetër politike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



