BKH “zbarkoi” në Kryeministri, Berisha “zbërthen” prapaskenat
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili pranoi se oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë qenë në ambientet e Kryeministrisë.
Sipas Berishës, kjo nuk është hera e parë që një fakt i tillë bëhet publik, pasi ai e ka denoncuar edhe më parë ndërhyrjen e Kryeministrisë për të penguar veprimet e BKH-së. Kreu i PD-së pretendon se oficerët kanë shkuar për të sekuestruar dokumente që lidhen me veprimtari kriminale, por janë ndaluar nga vetë Rama.
Gjatë një komunikimi live me ndjekësit në rrjetet sociale, Berisha deklaroi se kryeministri jo vetëm që ka penguar hetuesit, por ka shkuar deri aty sa t’u kërkojë atyre të çarmatosen, nga frika se mund të arrestohej.
“Unë e kam denoncuar publikisht këtë situatë. Oficerët e BKH u ndaluan kur tentuan të konfiskonin dokumente. Në paraqitjen e radhës, Rama kërkoi që ata të linin armët. Një situatë e paprecedentë. Kjo tregon frikën e tij dhe panikun nga pasojat e veprimeve që ka kryer”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se një veprim i tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë dhe e cilësoi sjelljen e kryeministrit si shprehje të një “fobie ndaj drejtësisë”.
Në vijim të deklaratës, Berisha u ndal edhe te çështja e tunelit të Llogarasë, duke hedhur akuza të forta se Edi Rama është më i implikuar në këtë aferë sesa zv/kryeministrja Belinda Balluku. Sipas tij, Rama ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në vendimmarrje dhe në procesin e tenderimit, në bashkëpunim me drejtuesit e ARRSH-së.
“Nëse roli i Ballukut në këtë histori është tashmë i njohur, Rama është edhe më thellë i lidhur. Ai ka qenë pjesë aktive e gjithë procesit dhe sot po përpiqet të mbrojë veten, jo vartësit e tij”, deklaroi Berisha.
Sipas kreut të PD-së, lëvizjet e fundit të kryeministrit tregojnë qartë se frika nga drejtësia është reale dhe se përpjekjet për të shmangur hetimet po bëhen gjithnjë e më të dukshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



