4 mln € mashtrim me Call Centera, SPAK, BKH dhe Policia pjesë e aksionit
Një rrjet ndërkombëtar që dyshohet se mashtronte qytetarë përmes platformave të rreme të investimeve online ka marrë një tjetër goditje nga autoritetet ligjzbatuese. Në operacionin e fundit, të koordinuar me mbështetjen e Eurojust dhe Europol, janë arrestuar shtatë persona, ndërsa hetuesit kanë ndërhyrë në disa vende, përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Skema kriminale dyshohet se ka shkaktuar dëme financiare që kalojnë 4 milionë euro, duke përdorur faqe interneti që paraqiteshin si platforma legjitime investimi. Përmes tyre, viktimave u premtoheshin fitime të shpejta nga tregtimi i kriptomonedhave, valutave të huaja dhe aksioneve.
Operacioni i fundit ka përfshirë kontrolle në 17 ambiente dhe sekuestrimin e mbi 100 serverëve që dyshohet se përdoreshin për veprimtarinë e paligjshme. Mes vendeve ku u zhvilluan ndërhyrjet ishte edhe një qendër telefonatash në Kosovë. Të arrestuarit pritet të dorëzohen ose të ekstradohen drejt Gjermanisë.
Nga investimi i çiftit gjerman te një skemë mashtrimi ndërkombëtar
Hetimi nisi në vitin 2022, pas kallëzimit të një çifti gjerman që kishte investuar kursimet e tij në një platformë online. Pavarësisht premtimeve për përfitime, dy personat nuk arritën të tërhiqnin paratë dhe fitimet që u shfaqeshin në llogaritë virtuale.
Verifikimet e nisura pas denoncimit zbuluan një mekanizëm mashtrimi me shtrirje ndërkombëtare, ku në shënjestër nuk ishin vetëm qytetarë gjermanë, por viktima në vende të ndryshme të botës.
Fillimisht, personat që drejtonin skemën kërkonin nga klientët të depozitonin shuma relativisht të vogla. Më pas, në platformat e përdorura shfaqeshin fitime fiktive, me qëllim krijimin e bindjes se investimi po ecte me sukses.
Pasi fitonin besimin e viktimave, personat që prezantoheshin si këshilltarë apo ndërmjetës financiarë ushtronin presion për depozitime të tjera, shpesh në vlera shumë më të larta. Kur klientët kërkonin të merrnin paratë e tyre, përballeshin me justifikime dhe vonesa të vazhdueshme, deri në momentin kur humbnin çdo kontakt me personat që qëndronin pas platformave.
Në hetim edhe Call Center në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut
Përparimi i hetimeve dhe analizimi i materialeve të sekuestruara gjatë operacioneve të mëparshme çuan në identifikimin e shtatë personave të tjerë të dyshuar. Mes tyre dyshohet se ndodheshin edhe drejtues të qendrave të telefonatave, të cilat përdoreshin për të kontaktuar viktimat dhe për t’i bindur të investonin shuma gjithnjë e më të mëdha.
Hetuesit zbuluan gjithashtu një kompani me bazë në Qipro dhe Izrael, e dyshuar se ofronte shërbime të gatshme për grupe kriminale. Përmes këtij modeli, të njohur si “crime-as-a-service”, subjekteve të ndryshme u siguroheshin faqe interneti mashtruese dhe infrastruktura teknologjike për të realizuar skema të paligjshme.
Në fokus të hetimeve u vendosën edhe persona në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, të dyshuar si klientë të kësaj kompanie dhe administratorë të qendrave të telefonatave të përdorura për mashtrimin e qytetarëve.
Në aksionin e fundit u kontrolluan gjithsej 17 ambiente, ndërsa u sekuestruan më shumë se 100 serverë, dokumente, prova materiale dhe pasuri të tjera që do t’i nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme.
Roli i SPAK, BKH dhe bashkëpunimi ndërkombëtar
Në Shqipëri, operacioni u zhvillua me pjesëmarrjen e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe Policisë së Shtetit.
Hetimi është mbështetur nga dy ekipe të përbashkëta hetimore të ngritura pranë Eurojust-it. Njëri prej tyre përfshinte autoritetet e Gjermanisë, Polonisë dhe Shqipërisë, ndërsa tjetri bashkonte autoritetet shqiptare me ato të Kosovës.
Eurojust ka koordinuar bashkëpunimin gjyqësor mes vendeve, përfshirë ekzekutimin e urdhrave evropianë të hetimit, arrestimit dhe ngrirjes së aseteve. Ndërkohë, Europol ka ndihmuar me analizën e të dhënave, verifikimin e informacionit në bazat e tij dhe mbështetjen teknike gjatë ndërhyrjeve.
Në operacion kanë marrë pjesë autoritetet e Gjermanisë, Qipros, Finlandës, Shqipërisë, Izraelit, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht strukturën e rrjetit, rolin e personave të përfshirë dhe përmasat e dëmit financiar të shkaktuar nga skema e investimeve të rreme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



