E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
BKH zbret në terren me operacionalen e saj, 25 të kërkuar në listë
Lajme

BKH zbret në terren me operacionalen e saj, 25 të kërkuar në listë

Nis gjuetia ndaj të shumëkërkuarve

Për herë të parë, Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka zbritur në terren me njësinë e saj të armatosur, në kuadër të një qasjeje të re operacionale të strukturave të posaçme kundër krimit të organizuar.

Kjo njësi, pjesë e sektorit të taktikës në BKH dhe e përbërë nga agjentë të trajnuar dhe të armatosur, ka realizuar operacionin e saj të parë mbrëmjen e 1 korrikut në qytetin e Durrësit. Gjatë ndërhyrjes është vënë në pranga një person i njohur për precedentët e tij kriminalë, i shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit “Ura”.

Bëhet fjalë për Adi Çobën, i cili është arrestuar në një banesë në zonën e plazhit në Durrës, pa bërë rezistencë ndaj agjentëve. Pas ndalimit, celulari i sekuestruar i është dorëzuar laboratorit për ekzaminim, ndërsa hetimet janë shtrirë edhe mbi veprimet e mundshme të zyrtarëve të policisë, për të verifikuar nëse ka pasur shmangie në ekzekutimin e arrestimeve ndaj personave të shpallur në kërkim.

Burime bëjnë me dije se në listën e të kërkuarve janë identifikuar edhe 24 shtetas të dyshuar. Nga informacionet e mbledhura rezulton se ata fshihen në disa qytete të vendit, përfshirë Tiranën, Durrësin, Vlorën, Fierin dhe Elbasanin.

Prej 2 javësh, këto zona janë vënë nën monitorim nga njësia speciale, e cila ka arritur të lokalizojë vendndodhjet e dyshuara ku këta persona qëndrojnë. Sipas të dhënave hetimore, disa prej tyre janë strehuar në vila dhe resorte luksoze në zonat bregdetare.

Dalja në terren e kësaj njësie ishte paralajmëruar një ditë më parë nga kreu i SPAK, Altin Dumani, gjatë raportimit në Kuvend, ku ai theksoi se strukturat e posaçme do të kryejnë vetë arrestime dhe do të zbatojnë vendimet gjyqësore apo masat e sigurisë.

Ndërkohë, BKH ka nisur një proces riformatimi në terren, duke forcuar sektorët e hetimit me fokus te krimi ekonomik, gjurmimi i aseteve, vëzhgimi dhe lokalizimi i anëtarëve të grupeve kriminale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.