Bllokohet aksi Qafë Buall – Krastë, degradohet rruga
‘Vëllezërit Hysa’, ‘BE-IS’ shpk dhe ‘Ergi’ ndërpresin punimet
Ndërprerja e punimeve për asfaltimin e aksit Qafë Buall – Krastë ka sjellë përkeqësim të ndjeshëm të gjendjes së rrugës, duke krijuar vështirësi serioze për qarkullimin e automjeteve. Shkak për pezullimin e projektit është bërë kërkesa e kompanive “BE-IS” sh.pk, “ERGI” sh.p.k dhe “VËLLEZËRIT HYSA” për rritje të fondeve, çka ka çuar në bllokimin e punimeve.
Në segmentin e ri të hapur për asfaltim, situata është rënduar ndjeshëm. Në mungesë të ndërhyrjeve, janë krijuar gropa dhe dëmtime të shumta në trupin e rrugës, duke e bërë lëvizjen të vështirë dhe të rrezikshme për drejtuesit e mjeteve. Banorët dhe përdoruesit e përditshëm të këtij aksi raportojnë se prej të paktën tre muajsh nuk është vënë re asnjë aktivitet ndërtimor në terren, ndërsa mungojnë edhe ndërhyrjet minimale për mirëmbajtje.
Projekti për ndërtimin e aksit Qafë Buall – Krastë është miratuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, me një vlerë totale prej rreth 11 milionë euro. Punimet për rikonstruksionin e këtij segmenti nisën dy vite më parë, ndërsa sipas afateve zyrtare, rruga duhej të ishte përfunduar në prill të vitit 2025.
Zvarritja e projektit dhe mungesa e ndërhyrjeve kanë ngritur shqetësime mbi menaxhimin e investimit dhe ndikimin që kjo situatë ka tek komuniteti dhe ekonomia lokale, duke e kthyer një investim të rëndësishëm në një problem të përditshëm për qytetarët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



