E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Bllokoni asetet e ndërtuesve që shkaktuan dëmet
Publik News

Bllokoni asetet e ndërtuesve që shkaktuan dëmet

Klodian Tomorri


Fatura financiare e dëmeve që la pas tërmeti i 26 nëntorit pritet të jetë e rëndë dhe pjesa dërrmuese e saj do të bjerë mbi buxhetin e shtetit. Kjo nënkupton se barra e rindërtimit të banesave dhe veprave publike të dëmtuara do të mbahet nga qytetarët shqiptarë.

Solidarizimi i qytetarëve shqiptarë me familjet e dëmtuara nga tërmeti ka qenë i pashembullt. Sot nuk gjen asnjë qytetar që refuzon të japë taksat e tij për të ndihmuar familjet e dëmtuara nga tërmeti. Por hedhja e të gjithë faturës tek taksapaguesit është e padrejtë. Ka një kategori tjetër që duhet të paguajë. Ata janë njerëzit që e shkaktuan dëmin.
Qeveria ka detyrimin moral por edhe ligjor të identifikojë të gjitha kompanitë që kanë ndërtuar pallatet e dëmtuara. Menjëherë pas identifikimit, autoritetet duhet të bllokojnë asetet e këtyre kompanive deri kur ekspertiza teknike të nxjerrë arsyet e dëmtimit.

Nëse rezulton se shkaku është cilësia e dobët e ndërtimit dhe shkelja e ligjit nga ana e ndërtuesve, atëherë duhet automatikisht që asetet e bllokuara të konfiskohen dhe të përdoren për të shlyer dëmet.

Dëmtimi i pallateve në Durrës është shumë më i madh nga sa shfaqet në media. Fatura e rindërtimit të tyre do të jetë e rëndë dhe të parët që duhet të paguajnë janë pikërisht ata që e kanë shkaktuar këtë situatë. Në Durrës, qytetarët e dinë shumë mirë se kush i ka ndërtuar ato pallate që sot janë të pabanueshme. E dinë shumë mirë edhe se kush janë furnitorët e materialeve të ndërtimit. Shpesh njerëz të fuqishëm dhe me pushtet.

Sot disa prej tyre po marrin rolin e bamirësit duke dhënë ccikërrime donacionesh. Por këto janë donacionet e hipokrizisë, pasi të njëjtit njerëz nga ana tjetër ju kanë lënë qytetarëve qindra milionë euro të humbura dhe rrezikun për jetën.
Provat e krimit janë aty. Qeveria ka në dorë të zgjedhë nëse do të jetë palë me krimin apo me qytetarët? Fatkeqësisht rruspat e vërsulura për të shembur pallatet e pabanueshme dhe bashkë me to provat tregojnë se ajo zgjedhje mund të jetë bërë sakaq.

Por një gjë është e sigurtë. Ata që do të përpiqen të fshehin apo amnistojnë krimin e ndërtimeve në Durrës, janë po aq fajtorë sa ndërtuesit që vranë dhjetëra njerëz dhe shkaktuan qindra milionë euro dëme për të nginjur babëzinë e tyre kriminale. Nje dite te gjithe keta duhet te dalin para ligjit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.