Breshëri plumbash në Kamëz, vriten dy vëllezër dhe plagoset i treti, autori ushtarak
Një konflikt në zonën e Bathores në Kamëz ka përfunduar me pasoja tragjike mesditën e kësaj të hëne, më 19 tetor. Dy vëllezër janë vrarë me armë zjarri, ndërsa një person tjetër ka mbetur i plagosur. Për ngjarjen është arrestuar i dyshuari Ngushëllim Manzi, i cili, sipas informacioneve paraprake, është ushtarak.
Ngjarja e rëndë është regjistruar pranë repartit ushtarak të Zall-Herrit, pas një konflikti, rrethanat e të cilit ende nuk janë sqaruar plotësisht.
Viktimat janë identifikuar si Selam Islamaj dhe Nazmi Islamaj. Ndërkohë, Shefqet Islamaj ka mbetur i plagosur dhe është transportuar për të marrë ndihmë mjekësore.
I dyshuari u arrestua pas ngjarjes
Në pranga ka përfunduar Ngushëllim Manzi, i dyshuar si autor i vrasjes së dyfishtë. Sipas të dhënave paraprake, ai është pjesëtar i strukturave ushtarake.
Informacionet e deritanishme bëjnë me dije se Manzi ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike dhe nuk ka dhënë ende deklarime për ngjarjen.
Ndërkohë, policia dhe grupi hetimor po vijojnë punën për të rindërtuar dinamikën e konfliktit, për të përcaktuar motivet dhe për të sqaruar rrethanat që çuan në përdorimin e armës së zjarrit.
Hetimet pritet të hedhin dritë mbi shkaqet e ngjarjes së rëndë që tronditi Bathoren, ndërsa përgjegjësitë penale do të përcaktohen nga organet kompetente.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



