E martë, 27 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Bujqësia drejt braktisjes: Shqipëria prodhon gjithnjë e më pak drithëra, gruri bie mbi 30%
Lajme

Bujqësia drejt braktisjes: Shqipëria prodhon gjithnjë e më pak drithëra, gruri bie mbi 30%

Prodhimi vendas bujqësor po tkurret dhe të dhënat e fbeje undit tregojnë një dobësim të mëtejshëm të kapaciteteve të Shqipërisë për të prodhuar drithërat bazë.

Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2025, prodhimi total i drithërave zbriti në 623,957 tonë, nga rreth 649.9 mijë tonë në vitin 2024. Brenda vetëm një viti, vendi prodhoi rreth 26 mijë tonë më pak, me një rënie prej afro 4%.

Krahasuar me vitin 2023, rënia është edhe më e dukshme. Atëherë prodhimi i drithërave ishte rreth 701.3 mijë tonë, që do të thotë se në harkun e dy viteve Shqipëria ka humbur rreth 77 mijë tonë prodhim.

Gruri pëson goditjen më të madhe

Ndër kulturat kryesore, rënien më të fortë e ka shënuar gruri.

Në vitin 2025 u prodhuan vetëm 162.6 mijë tonë grurë, nga 180.8 mijë tonë në vitin 2024. Kjo përfaqëson një rënie prej 10.1% brenda një viti.

Por problemi bëhet edhe më shqetësues në një perspektivë pesëvjeçare. Në vitin 2020 Shqipëria prodhonte rreth 233.4 mijë tonë grurë. Pesë vite më pas, prodhimi ka rënë me rreth 71 mijë tonë, ose më shumë se 30%.

Edhe misri, i cili përbën pjesën më të madhe të prodhimit të drithërave, ka shënuar rënie. Në vitin 2025 u prodhuan rreth 400.5 mijë tonë, rreth 9.9 mijë tonë më pak se një vit më parë, me një tkurrje prej 2.4%.

Tkurrja prek gjithë bazën prodhuese

Rënia e bujqësisë shfaqet në një panoramë më të gjerë të dobësimit të prodhimit vendas, ku paralelisht është tkurrur edhe blegtoria.

Në vitin 2025 numri i deleve ra në rreth 1.166 milionë krerë, ndërsa dhitë u reduktuan me 7.4%. Rënia e derrave ishte edhe më e fortë, me 28.2%. Ndërkohë, numri i gjedhëve u rrit lehtë me 1.1%.

Megjithatë, edhe kjo rritje nuk ndryshon tendencën afatgjatë. Krahasuar me vitin 2020, numri i gjedhëve është rreth 24% më i ulët, delet janë reduktuar me rreth 25%, ndërsa dhitë me më shumë se 26%. Numri i derrave është përgjysmuar.

Tkurrja reflektohet edhe te qumështi. Nga rreth 1.05 milionë tonë në vitin 2020, prodhimi zbriti në rreth 868 mijë tonë në vitin 2025, një rënie prej afro 17%.

Shqipëria bëhet më e varur nga importet

Në total, prodhimi i drithërave ka rënë nga rreth 684 mijë tonë në vitin 2020 në rreth 624 mijë tonë në vitin 2025, ndërsa gruri ka humbur gati një të tretën e prodhimit.

Kjo tendencë ngre pikëpyetje për kapacitetin e bujqësisë shqiptare për të përballuar nevojat e tregut vendas.

Nëse tkurrja vijon, prodhimi vendas do të zërë një peshë gjithnjë e më të vogël në furnizimin e tregut ushqimor, duke e bërë Shqipërinë më të varur nga importet dhe më të ekspozuar ndaj luhatjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.